Skip to content
Kryesore

Dhuna ndaj Eduard Kuçit/ Prokuroria kërkon burg për Jozefin Markun dhe shoferin

· 2 min lexim

Ka nisur në gjykatë seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj këngëtarit Jozefin Marku dhe shoferit të tij, Kristjan Nikolli, të arrestuar pas dhunës ndaj Eduard Kuçit. Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për të dy të arrestuarit.

Gjykata pritet të vendosë masën e sigurisë ndaj Markut dhe Nikollit, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë.

Një tjetër element që po verifikohet nga Prokuroria lidhet me përdorimin e simboleve të Policisë së Shtetit. Paralelisht, është kërkuar një akt-ekspertim për të përcaktuar nëse Eduard Kuçi ka pësuar dëmtime trupore si pasojë e sulmit.

Por hetimet kanë sjellë zhvillime edhe për vetë Kuçin. Ai është shpallur në kërkim policor nën akuzën e moskallëzimit të krimit, pasi nuk e denoncoi ngjarjen në polici.

Sipas hetimeve, Kuçi e kishte përshkruar fillimisht atë që kishte ndodhur si një konflikt të thjeshtë të shkaktuar nga bllokimi i rrugës me automjet. Vetëm gjatë verifikimeve të mëtejshme të policisë, rasti është trajtuar si ngjarje penale dhe ndaj tij është ngritur akuza për moskallëzim krimi.

Pikërisht fakti që personi i sulmuar nuk ka bërë kallëzim për ngjarjen pritet të jetë një prej pikave ku do të mbështetet mbrojtja e Jozefin Markut.

Tashmë vendimi i takon gjykatës, e cila do të përcaktojë masën e sigurisë për Jozefin Markun dhe Kristjan Nikollin, ndërsa hetimet për episodin dhe personat e përfshirë vijojnë.