Skip to content
Kryesore

Detaje të reja nga vrasja e Eglant Koçit/ Shakaj mashtroi policinë dhe u zhduk, kamerat e kapën duke tërhequr trupin; gjak në Porsche

· 3 min lexim

Detaje të reja dalin nga hetimet për vrasjen e Eglant Koçit në Tiranë, ndërsa provat e mbledhura nga kamerat e sigurisë dhe dëshmitë e administruara nga Prokuroria kanë përforcuar dyshimet ndaj Armand Shakajt. Në fokus të hetuesve janë paratë e call center-ave dhe kriptomonedhat, ndërsa është marrë në pyetje edhe administratori i një exchange-i në kryeqytet.

Sipas dosjes së disponuar nga Top Channel, pasi familjari i Koçit denoncoi zhdukjen, më 5 qershor i tregoi policisë se i vëllai konvertonte kriptomonedha në një subjekt pranë Laprakës. Administratori i exchange-it ka deklaruar se Koçi kishte më shumë se një muaj që nuk paraqitej aty për transferta.

Hetuesit kanë rindërtuar gjithashtu lëvizjet e viktimës dhe të personit të dyshuar. Shakaj u thirr nga policia në kohën kur ende nuk dihej asgjë për fatin e Koçit dhe deklaroi se e kishte takuar atë më 3 qershor.

Shakaj pretendoi se miku i tij ishte shfaqur i shqetësuar për paratë e kriptomonedhave dhe të call center-ave, duke ia atribuar atij deklaratën: “Njëri nga personat që ka portofolin tonë dixhital ka rënë në burg në Dubai, kurse tjetri i ka luajtur online bixhoz”.

Por sipas materialit hetimor, Shakaj mashtroi policinë. Menjëherë pasi u lirua, ai u zhduk dhe nuk iu përgjigj më telefonatave të policisë.

Kamerat e sigurisë tregojnë se më 4 qershor Eglant Koçi, duke udhëtuar me motor, shkoi në biznesin e mikut të tij. Vetëm 40 minuta pasi hyri brenda, një person i veshur me të zeza u largua me motorin e viktimës.

Pamjet që konsiderohen ndër më të rëndësishmet për hetimin i përkasin 5 qershorit, rreth orës 23:30. Sipas dosjes, në to Shakaj shfaqet duke nxjerrë në holl dhe duke tërhequr zvarrë një qese në formën e trupit të njeriut, të cilën më pas e largon me automjet.

Trupi i pajetë u gjet pas disa ditësh kërkime dhe analiza e ADN-së konfirmoi se bëhej fjalë për Eglant Koçin. Në burg mbahet edhe 25-vjeçari Ena Zyferi, student infermierie që punonte si kamarier dhe dyshohet se përkrahu autorin e krimit duke fikur kamerat.

Një tjetër element i rëndësishëm në dosje lidhet me Porsche-n dhe dëshmitë e dy punonjësve të një lavazhi. Prokuroria i ka marrë ata në pyetje, ndërsa kanë treguar se Shakaj u kishte thënë për automjetin: “Do vij ta marr, vetëm lajeni mirë”.

Dy lavazhierët kanë deklaruar se gjatë pastrimit vunë re një detaj të dyshimtë brenda makinës: “në pjesën e tapetit të automjetit, pas ndenjëses së shoferit, kishte lëng të kuq, në pamje të parë si gjak”.

Hetimet vijojnë, ndërsa Armand Shakaj mbetet personi i kërkuar dhe i dyshuar për vrasjen e Eglant Koçit.