Çmimet e pronave janë rritur me shpejtësi, Moody’s paralajmëron Shqipërinë: Një rënie e fortë mund të godasë bankat

Çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur me shpejtësi vitet e fundit, por pikërisht kjo rritje po shihet tashmë si një rrezik për ekonominë dhe sistemin bankar. Moody’s paralajmëron se një rënie e fortë e çmimeve të pronave mund të krijojë probleme financiare, veçanërisht për shkak të shumës së madhe të kredive të lidhura me këtë treg.
Problemi është i thjeshtë: sa më shumë rriten kreditë për shtëpi dhe ekspozimi i bankave ndaj pronave, aq më shumë sistemi bankar bëhet i varur nga ecuria e këtij tregu. Nëse çmimet pësojnë një korrigjim të fortë, pra bien ndjeshëm pas viteve të rritjes, pasojat mund të përhapen edhe te bankat.
Në tremujorin e tretë të vitit 2025, kreditë e lidhura me pasuritë e paluajtshme përbënin rreth 20% të të gjitha aktiveve të sistemit bankar shqiptar.
Moody’s e rendit këtë situatë mes dobësive që mund të ndikojnë edhe në vlerësimin e Shqipërisë.
“Perspektiva mund të rikthehet në të qëndrueshme nëse rritja ekonomike ngadalësohet ndjeshëm, deficitet fiskale zgjerohen në mënyrë të konsiderueshme, ose nëse rriten dobësitë e sektorit financiar, veçanërisht ato që burojnë nga tregu i pasurive të paluajtshme apo nga goditje të jashtme të papritura”, thuhet në raport.
Sipas Monitor, paralajmërimi vjen pasi tregu shqiptar i pronave ka kaluar një periudhë të gjatë me rritje të çmimeve, ndërkohë që është rritur edhe kreditimi për blerjen e banesave.
Të njëjtin shqetësim e ka ngritur më herët edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Sipas FMN-së, që prej vitit 2019 janë rritur ndjeshëm aktiviteti i ndërtimit dhe çmimet e pasurive të paluajtshme, ndërsa bankat kanë shtuar ekspozimin ndaj këtij sektori.
Megjithatë, Moody’s jep sinjale pozitive për pjesën tjetër të ekonomisë shqiptare. Agjencia parashikon që borxhi publik të bjerë nga 52.9% e PBB-së në fund të vitit 2025 në 50.2% në vitin 2027. Ekonomia pritet të rritet me 3.6% në vitin 2026 dhe 3.5% në vitin 2027.
Por tregu i pronave mbetet një nga pikat e dobëta. Shqetësimi kryesor është se rritja e shpejtë e çmimeve, e kombinuar me ekspozimin e bankave ndaj këtij sektori, mund ta bëjë sistemin financiar më të ndjeshëm nëse tregu i banesave përballet me një rënie të fortë.