Skip to content
Kryesore

ChatGPT hyn zyrtarisht në shkollat shqiptare, Ministria hap rrugën për përdorimin e AI

· 3 min lexim

Inteligjenca artificiale hyn tashmë zyrtarisht edhe në sistemin parauniversitar shqiptar. Ministria e Arsimit ka hartuar një udhëzues për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në arsim, duke përcaktuar mënyrën se si mjete si ChatGPT dhe Gemini mund të përdoren nga mësuesit dhe nxënësit gjatë procesit mësimor.

Dokumenti i hap rrugën përdorimit të këtyre platformave në shkolla, por njëkohësisht vendos kufij të qartë: Inteligjenca Artificiale duhet të shërbejë si mjet ndihmës dhe jo të zëvendësojë punën, mendimin kritik apo krijimtarinë e nxënësit dhe mësuesit.

Sipas udhëzuesit, mësuesit mund ta përdorin AI për përgatitjen e materialeve mësimore, hartimin e ushtrimeve dhe pyetjeve, krijimin e testeve apo provimeve, përshtatjen e përmbajtjes sipas nivelit të nxënësve dhe mbështetjen në procesin e vlerësimit. Teknologjia mund të përdoret gjithashtu për të krijuar materiale të ndryshme dhe për ta bërë procesin e mësimdhënies më të personalizuar.

Edhe nxënësit mund t’i përdorin këto mjete për të kërkuar shpjegime, për të zhvilluar ide, për të ushtruar njohuritë dhe për të marrë ndihmë gjatë të nxënit. Megjithatë, përdorimi i AI nuk duhet të kthehet në një mënyrë për të dorëzuar si punë personale materiale të prodhuara tërësisht nga një platformë teknologjike.

Pikërisht këtu udhëzuesi vendos një nga vijat më të rëndësishme ndarëse. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale për plagjiaturë apo për paraqitjen e një materiali të gjeneruar nga AI si punë origjinale e nxënësit nuk konsiderohet përdorim i pranueshëm. Nxënësi duhet të ruajë autorësinë dhe përgjegjësinë mbi punën që dorëzon.

Një tjetër pikë thelbësore lidhet me saktësinë e informacionit. Përgjigjet e prodhuara nga ChatGPT, Gemini apo platforma të tjera nuk duhet të merren automatikisht si të vërteta. Informacioni i gjeneruar duhet të kontrollohet dhe verifikohet, pasi sistemet e Inteligjencës Artificiale mund të prodhojnë edhe të dhëna të pasakta ose të paplota.

Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe privatësisë. Mësuesit dhe nxënësit duhet të tregojnë kujdes me të dhënat që vendosin në këto platforma dhe të shmangin ekspozimin e informacioneve personale apo sensitive.

Me udhëzuesin e ri, Inteligjenca Artificiale nuk trajtohet më si një teknologji jashtë procesit arsimor, por si një instrument që mund të integrohet në mësimdhënie dhe të nxënë. Sfida tashmë zhvendoset te mënyra se si shkollat dhe mësuesit do ta zbatojnë në praktikë: duke shfrytëzuar mundësitë që ofron teknologjia, pa e kthyer atë në zëvendësuese të dijes, punës individuale dhe mendimit kritik.