Briken Calja kampion bote, kryeministri Rama ka një mesazh

Briken Calja, peshëngitësi shqiptar është shpallur kampion bote.
Pas fitores së arritur nga Briken Calja, një urim ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama. Kryeministri shprehet se talenti e vullnet të hekur i Briken Caljes meriton sot një përulje me respekt, sepse ia doli të ngjitet në majën e botës pa humbur kurajon e as durimin, në atë që Rama e quan të papjetën e vështirë dhe të rrëshqitshme drejt majës.
“Kampion bote. Briken Calja, talenti me vullnet të hekurt, meriton sot një përulje me respekt, sepse ia doli të ngjitet në majën e botës pa e humbur kurajon e as durimin, në të përpjetën e vështirë dhe të rrëshqitshme drejt majës”, shkruan Rama.
Briken Calja fitoi medalje ari në stilin e shkëputjes në Botërorin e Peshëngritjes dhe shkoi vetëm një kilogram larg titullit kampion bote në dygarësh dhe shtytje, ku u klasifikua në vendin e dytë.
Calja garoi në peshën deri në 73 kilogram bashkë me Erkand Qerimajn dhe ia doli të ngrejë 156 kilogram në stilin e shkëputjes, më shumë se çdo garues tjetër.
Edhe në shtytje Calja bëri një paraqitje mjaft të mirë, duke ngritur 182 kilogramë në provën e parë, 186 kilogram në të dytën dhe dështoi 190 kilogramë në të tretën, duke humbur titullin kampion në dygarësh për vetëm një kilogram.