Beogradi glorifikoi Mlladiçin/ Bushati godet Tiranën: Po nderimin që i bënë kriminelit, do ta harrojmë për “miqësinë” me Serbinë?

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar ashpër pas ceremonisë së varrimit të Ratko Mlladiçit në Beograd, duke e cilësuar atë jo thjesht si një funeral, por si një shfaqje të organizuar për glorifikimin e një krimineli lufte. Në reagimin e tij, Bushati e zgjeron kritikën përtej Serbisë, duke goditur politikën e ndjekur prej vitesh nga Bashkimi Europian dhe duke i kërkuar edhe Shqipërisë të rishikojë mënyrën se si ndërton marrëdhëniet me Beogradin.
Sipas Bushatit, mijëra pjesëmarrësit, nderimet shtetërore dhe mbërritja e organizuar në Beograd e veteranëve të Ushtrisë së Republikës Srpska nga Banja Luka tregojnë se ceremonia kishte një dimension të qartë politik.
“Mijëra njerëz në ceremoninë e varrimit të Ratko Mlladiçit, të shoqëruar nga nderime shtetërore dhe pjesëmarrja e veteranëve të Ushtrisë së Republikës Srpska, të cilët mbërritën në Beograd në mënyrë të organizuar nga Banja Luka, dëshmon se kjo ngjarje i tejkaloi kufijtë e një funerali.
Kjo histori shkon përtej Ratko Mlladiçit. Dhe është pasojë e një politike disavjeçare të mbylljes së syve dhe tolerimit të Serbisë, për ta ankoruar atë kinse në rrjedhat perëndimore. Për vite me radhë, BE-ja ka bashkëjetuar me këtë situatë. Duke i dhënë përparësi stabilitetit të rrejshëm dhe jo demokratizimit të mirëfilltë. Ndaj, sot nuk mund ta trajtojë organizimin e ceremonisë shtetërore për një kriminel luftë si një episod të veçuar, por si pasojë e drejtpërdrejtë e një politike të gabuar”, shkruan Bushati.
Por kritika e ish-kryediplomatit shqiptar nuk ndalet te BE-ja. Ai e drejton mesazhin edhe ndaj vendeve të rajonit dhe, në mënyrë të posaçme, ndaj Shqipërisë, duke kërkuar që marrëdhëniet me Serbinë të mos ndërtohen mbi interesa apo formula politike që anashkalojnë të shkuarën.
Bushati argumenton se ajo që ndodhi në Beograd nuk mund të konsiderohet një reagim spontan pas vdekjes së Mlladiçit, por rezultat i një procesi të organizuar dhe të koordinuar.
“Gjithçka që lidhet me vdekjen dhe varrimin e Mlladiçit nuk mund të shihet si një shpërthim spontan emocionesh apo si një teprim i paparashikuar. Përkundrazi, ishte një shfaqje e përgatitur dhe e sinkronizuar me mjeshtëri, në të cilën shteti, ushtria dhe kisha vepruan së bashku për të njëjtin qëllim: glorifikimin e një krimineli lufte. Secili prej këtyre institucioneve kishte rolin e vet të qartë në një skenar që synon rehabilitimin e politikave të viteve ’90 dhe legjitimimin zyrtar të asaj që është ndërtuar në hije për vite me radhë.”
Në përfundim, Bushati e lidh atë që ndodhi me politikën e lëshimeve të ndjekur ndaj Serbisë dhe paralajmëron se edhe Shqipëria duhet të nxjerrë përfundimet e saj.
“Sot, komuniteti ndërkombëtar nuk po përballet me ndonjë befasi, por thjesht po korr frytet e oportunizmit dhe politikës së lëshimeve ndaj Serbisë. Ndërsa vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, duhet të kuptojnë se bashkëpunimi me Serbinë nuk mund të mbështetet mbi metafora, por mbi disa parime të patjetërsueshme për pajtimin, që lidhen me ndarjen e qartë nga e shkuara e errët e krimeve të luftës dhe gjenocidit.”