Banorët e Patos-Marinzës në protestë kundër Bankers, kërkojnë pagesat për tokat: “Nëse nuk na dëgjojnë, do të bllokojmë naftën”

Tensioni rritet sërish në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Dhjetëra banorë janë mbledhur mëngjesin e sotëm përpara zyrave të Bankers Petroleum në Marinzë, duke kërkuar respektimin e kontratave dhe pagesat për tokat që i kanë dhënë me qira kompanisë.
Protestuesit vijnë nga disa prej fshatrave të zonës, mes tyre Sheqishtë, Marinëz, Belinë, Zharrëz dhe Kallm. Ata pretendojnë se Bankers Petroleum nuk po respekton detyrimet e përcaktuara në kontratat e lidhura me pronarët, ndërsa për shumë prej familjeve këto toka përbëjnë një nga burimet e vetme të të ardhurave.
Banorët thonë se kjo nuk është hera e parë që ngrenë zërin. Sipas tyre, janë zhvilluar disa protesta dhe takime me drejtues të Bankers Petroleum, përfshirë edhe CEO-n e kompanisë, por deri tani kërkesat e tyre nuk kanë marrë zgjidhje.
Nga ana tjetër, kompania ka pretenduar se AKBN nuk njeh disa prej shpenzimeve që lidhen me tokat. Banorëve u është kërkuar gjithashtu ndryshimi i kontratave dhe i çmimit të qirasë së tokës.
Përfaqësues të banorëve pritet të zhvillojnë edhe sot një takim me drejtuesit e kompanisë, por këtë herë paralajmërimi është i prerë: nëse nuk arrihet një marrëveshje, protesta do të përshkallëzohet.
“Nëse nuk na dëgjojnë do të bllokojmë naftën”, paralajmërojnë banorët.
Situata mund të kalojë kështu nga protesta përpara zyrave në bllokimin e vendburimeve të naftës, ndërsa banorët kërkojnë atë që thonë se u takon nga kontratat për tokat e përdorura nga kompania.