Skip to content
Kryesore

Arrestohet nga policia, kush është Fatime Paja, pjesë e “Revolucionit të Flamingove”, që furnizonte protestuesit me molotovë dhe fishekzjarrë?

· 1 min lexim

Fatime Paja, 29-vjeçarja nga Belshi, e njohur për aktivizmin e saj në “Revolucionin e Flamingove” dhe pjesëmarrjen në protestat kundër qeverisë, është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se furnizonte protestuesit me kokteje molotov, fishekzjarrë dhe mjete të tjera.

Në automjetin që drejtonte 29-vjeçarja, policia sekuestroi 91 kokteje molotov, 166 fishekzjarrë, 59 tuba metalikë, 17 kapsolla, maska kundër gazit, doreza dhe sende të tjera.

Sipas policisë, Paja dyshohet se siguronte dhe shpërndante këto mjete për protestuesit, me qëllim përdorimin e tyre në akte dhune ndaj efektivëve të policisë dhe institucioneve shtetërore. Dy bashkëpunëtorë të dyshuar të saj janë shpallur në kërkim.

Fatime Paja është një nga figurat e “Revolucionit të Flamingove”, lëvizje që nisi në kundërshtim të projekteve në Zvërnec. Prej muajsh, ajo ka marrë pjesë në protestat kundër qeverisë, duke kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

E njohur ndryshe si Fatma Paja, 29-vjeçarja është artiste vizuale, piktore, ilustruese dhe dizajnere grafike. Së bashku me dy motrat e saj, Elsa dhe Natasha Paja, ka themeluar studion kreative “TRIVET”.