Prokuroria e Posaçme po vijon hetimet ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku në lidhje me vilën F-6 në kompleksin rezidencial “White Rocks” në Gjilekë të Dhërmiut. Sipas gazetarit Elton Qyno, deklarimet e arkitektëve të mobilimit dhe punëtorëve të mirëmbajtjes së vilës janë administruar nga SPAK si pjesë e dosjes hetimore.
Sipas raportimit, punonjës të kompanive që janë marrë me mobilimin dhe mirëmbajtjen e objektit kanë deklaruar se kanë parë Belinda Ballukun dhe familjarët e saj në ambientet e vilës. Disa prej tyre kanë dorëzuar edhe komunikime dhe fotografi që, sipas tyre, lidhen me interesimin për mobilimin e pronës.
Vila rezulton e regjistruar në emër të ish-futbollistit Igli Tare. Ky i fundit ka deklaruar se ka njohje të hershme me Ballukun dhe se e ka lejuar atë të përdorë pronën për pushime ose fundjava. Sipas raportimit, Tare ka pohuar para SPAK se nuk ka qëndruar asnjëherë vetë në vilën në fjalë.
SPAK po heton dyshimet se prona mund të jetë përdorur për të fshehur një pasuri që lidhet me ish-zyrtaren e lartë. Në të njëjtën kohë, hetuesit po verifikojnë edhe marrëdhëniet mes biznesmenit Pandeli Carapuli, kompanisë së tij dhe procedurave të tenderimit në AlbControl.
Ndërkohë, vila F-6 është sekuestruar me vendim të SPAK dhe është bllokuar në regjistrat hipotekorë për të mos lejuar tjetërsimin e saj deri në përfundim të hetimeve.
Sipas raportimit, ndaj Belinda Ballukut po hetohen veprat penale të “Pastrimit të parave”, “Korrupsionit pasiv të funksionarit të lartë publik” dhe “Fshehjes ose mosdeklarimit të pasurisë”. Vetë Balluku nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve.
Më tej, burime pranë hetimit kanë bërë me dije se prokurorët e çështjes po përgatisin një kërkesë të re për Kuvendin, me qëllim marrjen e autorizimit për arrestimin e deputetes. Kjo kërkesë pritet të mbështetet në provat e mbledhura në dosjen penale nr. 136 dhe në zhvillimet e fundit të hetimit.
Në dosje përmendet edhe Joana Bushi, aktualisht drejtoreshë e Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror (ANTA), e cila më herët ka mbajtur detyrën e shefes së kabinetit të Belinda Ballukut.
Joana Bushi nuk është një emër i panjohur në administratën publike dhe në rrethin e afërt institucional të Belinda Ballukut. Përveçse ka mbajtur më herët detyrën e shefes së kabinetit të Ballukut në kohën kur kjo e fundit drejtonte ANTA-n, sot Albcontrol, ndërsa më parë ka qenë pjesë e administratës së Bashkisë së Tiranës gjatë kohës së Edi Ramës.
Emri i saj është përmendur edhe në debatet publike për sigurinë e aeroportit të Rinasit dhe kompaninë ICTS, për shkak të lidhjes familjare me Eno Bushin. Në dosjen e fundit të SPAK për vilën në Dhërmi, Bushi del si ish-vartëse e Ballukut dhe si personi në emër të së cilës, sipas hetimit, është përdorur kontrata e qirasë për vilën F-6, ndërkohë që prokuroria dyshon se përdoruesja reale e pronës ka qenë Belinda Balluku.








