AMG Food e Arben Goxhajt sërish në qendër të skandalit/ Pas mishit me salmonelë, 41 kg kokainë në kontejnerin me mish pule të porositur nga Brazili

Emri i kompanisë “AMG Food” dhe pronarit të saj, Arben Goxha, rikthehet në vëmendje të autoriteteve, këtë herë pas sekuestrimit të 41 kilogramëve e 350 gramëve kokainë në Portin e Durrësit. Droga u gjet në një kontejner të ardhur nga Brazili, i cili sipas dokumentacionit transportonte mish pule dhe ishte porositur nga kompania “AMG Food”.
Gjatë kontrollit të kontejnerit, efektivët gjetën 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të fshehura në kapakët e jashtëm të tij. Sasia e sekuestruar arrin në 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj në treg përllogaritet në rreth 2 milionë euro.
Sipas MCN, kompania që kishte porositur ngarkesën me mish pule është “AMG Food”, me pronar/administrator Arben Goxha.
Hetimet duhet të përcaktojnë tashmë se si përfundoi kokaina në kontejner dhe nëse porositësit e ngarkesës kishin dijeni për drogën e fshehur. Deri në këtë fazë nuk ka asnjë të dhënë zyrtare që lidh “AMG Food” apo Arben Goxhën me trafikimin e kokainës.
Por emri i kompanisë nuk shfaqet për herë të parë në një ngarkesë problematike me mish pule të ardhur nga Brazili.
Në pranverën e vitit 2025, Gazeta Reforma raportoi gjerësisht për skandalin e mishit të pulës me salmonelë, ku në qendër ishte pikërisht “AMG Food”.
Kompania kishte importuar nga Brazili 27 tonë mish pule të papërpunuar, të ndarë në katër lote. Një kontroll i AKU-së më 11 mars 2025 në një prej loteve zbuloi probleme në një sasi prej 8 tonësh. Analizat e Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, përgjigjja e të cilave mbërriti më 21 mars, konfirmuan praninë e bakterit Salmonella Typhimurium.
Problemi mori përmasa edhe më të rënda pasi mishi nuk qëndroi i gjithë i bllokuar deri në përfundimin e analizave.
AKU i kishte kërkuar “AMG Food” që produkti të mbahej në ruajtje frigoriferike deri në daljen e rezultateve. Megjithatë, kompania e shpërndau produktin në treg pa pritur përfundimin e analizave.
Në këtë histori shfaqet edhe kompania diMal/Dimal Inc. Sipas raportimeve të kohës, mishi i pulës i importuar nga Brazili u mor në dorëzim dhe u shpërnda në treg nga diMal, kompani e lidhur me Mondi Goxhën, vëllain e Arben Goxhës. Edhe Mondi Goxha u procedua penalisht në kuadër të hetimeve për mishin e kontaminuar me salmonelë.
Autoritetet nisën më pas kërkimin e mishit të shpërndarë në fast-foode, restorante dhe markete në disa qarqe të vendit. Fillimisht, nga 8 tonët problematikë ishte bllokuar vetëm një pjesë e sasisë, ndërsa kontrollet vijuan për të tërhequr pjesën tjetër nga tregu.
Çështja nuk u kufizua vetëm te kompania importuese. Prokuroria e Tiranës nisi hetime edhe për tre inspektorë të AKU-së për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, lidhur me lejimin e daljes në treg të filetove të kontaminuara.
Pas skandalit, më 7 prill 2025 u shkarkua nga detyra edhe drejtori i AKU-së në Tiranë, Fatjon Pasholli, ndërsa në vend të tij u komandua Alketa Hoxha.
Në qendër të hetimeve përfundoi edhe pronari i “AMG Food”, Arben Goxha. Ai ishte shpallur në kërkim dhe më pas u ndalua nga Policia e Tiranës.
Në njoftimin e Policisë të raportuar në atë kohë thuhej:
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar ndaluan shtetasin Arben Goxha, 50 vjeç, i shpallur më herët në kërkim për veprën penale ‘Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve’.
Pas konsultës me prokurorin, u vendos që ai të procedohet në gjendje të lirë.”
Gazeta Reforma ngriti në atë kohë edhe shqetësimin për përgjegjësinë institucionale dhe mungesën e transparencës për destinacionin e mishit që kishte dalë nga magazinat, ndërsa rasti shkaktoi edhe thirrje publike për bojkot të kompanisë.
Më shumë se një vit më vonë, emri i “AMG Food” dhe Arben Goxhës rikthehet në një tjetër ngjarje që nis sërish nga një ngarkesë me mish pule e ardhur nga Brazili dhe e futur përmes Portit të Durrësit.
Këtë herë nuk bëhet fjalë për salmonelë: brenda strukturës së kontejnerit ku transportohej mishi u gjetën 41 kg e 350 gramë kokainë.
Nëse kompania, pronari apo persona të tjerë të lidhur me porosinë kishin dijeni për 41 kilogramët e kokainës së fshehur në kontejner, kjo mbetet për t’u përcaktuar nga hetimet e Policisë dhe Prokurorisë.