Skip to content
Kryesore

Akuzojnë mjekët për neglizhencë, familja kërkon bërjen e autopsisë për Leo Sadikun

· 2 min lexim

Familja Sadiku, e tronditur nga humbja e djalit të tyre 12-vjeçar, fillimisht kishte refuzuar kryerjen e autopsisë.

Megjithatë, për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes së Leo Sadikut, familja i është drejtuar Prokurorisë së Tiranës me një kërkesë zyrtare për autopsi.

Kjo kërkesë, e dërguar më 3 shkurt, ka mbetur ende pa përgjigje nga organet hetimore, ndonëse kanë kaluar 17 ditë.

Duke qenë se tashmë kanë kaluar 44 ditë nga varrimi i fëmijës, familja i kërkon Prokurorisë të veprojë sa më shpejt, pasi vonesat mund të ndikojnë në saktësinë e përcaktimit të shkakut të vdekjes.

Ndërkohë, Prokuroria e Korçës, e cila më herët kishte trajtuar çështjen, ka shpallur moskompetencë dhe ia ka kaluar dosjen Prokurorisë së Tiranës.

Kjo e fundit ka regjistruar procedimin penal, çka nënkupton se tashmë duhet të kryejë hetime të plota për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Dy ditë më parë, familja Sadiku protestoi përpara Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar drejtësi dhe mbajtjen përgjegjës të mjekëve të Korçës dhe QSUT-së.

Ata i akuzojnë bluzat e bardha për neglizhencë, duke pretenduar se djali i tyre nuk iu nënshtrua diagnostikimeve të nevojshme, si ekografia e zemrës, skaneri dhe EKG-ja, dhe nuk mori trajtimin e duhur, çka sipas tyre çoi në vdekjen e tij.