Akuzat për trafik armësh dhe grabitje të aseteve publike/ SPAK sekuestron përgjimet e Ahmetajt, në lupë Ron Yeffet dhe skema KAYO

SPAK ka nisur verifikimet pas deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili publikoi audiopërgjime dhe ngriti akuza të rënda për një skemë të dyshuar që lidhet me trafikun ndërkombëtar të armëve, fondet publike dhe asetet shtetërore.
Deklaratat u bënë gjatë intervistës së Ahmetajt me gazetarin Çim Peka. Pas transmetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit ka administruar përmes YouTube emisionin e plotë, ndërsa drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, i ka kërkuar “Syri TV” të dorëzojë të gjithë materialin e emisionit, përfshirë gjashtë përgjimet bruto të transmetuara gjatë intervistës.
Në qendër të akuzave të Ahmetajt qëndrojnë biznesmeni izraelit Ron Yeffet, kompania TIMAK Defence dhe ajo që ish-zëvendëskryeministri e cilëson si “koncepti KAYO”. Sipas pretendimeve të tij, përmes kësaj strukture janë ngritur mekanizma për përfitimin e fondeve dhe aseteve publike.
Por akuza më e rëndë lidhet me trafikun ndërkombëtar të armëve. Ahmetaj pretendon se armë të prodhuara në Afrikë paketohen në Shqipëri dhe më pas dërgohen drejt zonave të konfliktit. Ai e lidh këtë pretendim me TIMAK Defence, KAYO dhe persona që, sipas tij, janë pjesë e skemës.
Me administrimin e materialeve dhe sekuestrimin e audiopërgjimeve bruto, SPAK pritet tashmë të verifikojë autenticitetin e tyre dhe përmbajtjen e akuzave të ngritura publikisht, për të përcaktuar nëse ekzistojnë elementë që mund të çojnë në hapjen e një hetimi penal.
Gjatë intervistës, Ahmetaj siguroi se përgjimet ishin autentike dhe deklaroi se mbante përgjegjësi të plotë për to