Ahmetaj publikon përgjimin për gazin e Delvinës: Rama dhe Balluku prej 9-10 muajsh tentojnë t’ia japin Ron Yeffet, “Privati s’hedh asnjë cent”

Një pasuri strategjike e Shqipërisë, gazi i Delvinës, po tentohet prej 9–10 muajsh t’i kalojë biznesmenit Ron Yefet përmes një mekanizmi ku privati merr kontrollin, ndërsa paratë i siguron shteti. Kjo është akuza e rëndë që Arben Ahmetaj ka ngritur ndaj Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, duke publikuar edhe një audiopërgjim që, sipas tij, zbulon prapaskenat e operacionit.
Ish-zëvendëskryeministri e përshkruan atë që pretendon se po ndodh me Delvinën si zbatimin e të njëjtit “koncept KAYO” që ka denoncuar në industrinë ushtarake: shteti krijon kompaninë, mban një pjesë minoritare, ndërsa privati kontrollon shumicën dhe përfiton nga aktiviteti e fondet publike pa investuar kapitalin e vet.
Ahmetaj tha se përgjimi zhvillohet mes Ron Yefet dhe dy personave të tjerë, njëri ukrainishtfolës dhe tjetri rusishtfolës.
“Është interesante. Është midis Ron Yefetit dhe dy qytetarëve, ukrainishtfolës dhe rusishtfolës. Njëri prej tyre e ka emrin Igor, por këta nuk janë fokusi im. Bëhet fjalë për grabitjen e Delvinës me të njëjtin koncept, konceptin KAYO. Shqiptarët duhet ta dinë që kreu i organizatës së bashku me plaçkitësen kanë më shumë se 9-10 muaj që tentojnë të grabisin Delvinën për t’ia dhënë Ron Yefetit.”
Me “kreun e organizatës”, Ahmetaj i referohet Edi Ramës, ndërsa me termin “plaçkitësja” ai i është referuar Belinda Ballukut në denoncimet e tij.
Por akuza nuk ndalet te kalimi i Delvinës te një privat. Ahmetaj pretendon se është ndërtuar një mekanizëm ku shteti vendos asetet dhe paratë, ndërsa partnerët privatë marrin pjesën dërrmuese të kompanive të përbashkëta.
“Koncepti KAYO është: shteti krijon një kompani, siç ka krijuar KAYOn. Dhe pastaj këtu fillojnë gjithë vemjet, joint venture, me 80% vemjet dhe 20% shteti i shkretë. Devijojnë paratë e buxhetit të shtetit dhe shërbimet pa tender në mënyrë kriminale tek kompanitë bija të KAYOs. Dhe vemjet nuk hedhin asnjë cent.”
Pikërisht mungesa e investimit privat është një nga elementët më të rëndë të denoncimit. Sipas Ahmetajt, edhe në bisedën e regjistruar thuhet se nuk nevojiten para, por vetëm ngritja e pjesës teknike.
“Këtu bëhet fjalë që të grabitet Delvina, madje aty i thotë: ‘Nuk keni nevojë për para, ndërtoni pak pjesën teknike se s’ka hedhur asnjë cent’.”
Pra, versioni që paraqet Ahmetaj është i drejtpërdrejtë: pasuria është shqiptare, paratë do të sigurohen përmes shtetit, ndërsa kontrolli dhe përfitimi kalojnë te privati.
Ish-zëvendëskryeministri pretendon se Yefet është një person me marrëdhënie të hershme me Ramën dhe se kjo afërsi është elementi kryesor që shpjegon përfshirjen e tij në një sërë projektesh.
“Dhe vlera e vetme e Ronit, pa e paragjykuar profesionalizmin e Ronit në punët e veta dikur, është miqësia me kreun e organizatës.”
Ahmetaj tha gjithashtu se çështja e Delvinës mund të lidhet me një proces arbitrazhi ku, sipas informacionit që ai pretendon se ka marrë, mund të jetë i përfshirë edhe një shtetas amerikan. Ai deklaroi se ka dëgjuar se gjatë shtatorit po përgatitet “heqja finale”.
“Pra, jemi KAYO koncept, si koncept kriminal, Delvina, që mësova disa ditë përpara që mund të jetë edhe një qytetar amerikan në arbitrazh. Më thanë që përgatitet tani në shtator që të bëjnë heqjen finale. Pra, Roni do të bëhet i pasur me paratë e shqiptarëve.”
Denoncimi për Delvinën lidhet me një tablo shumë më të gjerë që Ahmetaj ndërton rreth Ron Yefet. Në intervistë, ai e lidh biznesmenin edhe me TIMAK Defence, KAYO-n, TEC-in e Vlorës, rezervën e naftës dhe interesa të tjera strategjike.
Sipas ish-zëvendëskryeministrit, modeli është i njëjtë: krijimi i një strukture shtetërore që shërben si hyrje dhe “mburojë”, përpara se aktiviteti dhe pasuritë të kalojnë drejt kompanive private.
Akuzat e Ahmetajt për Ramën, Ballukun dhe Yefet mbeten pretendime të tij, ndërsa materiali audio dhe konteksti i plotë i tij kërkojnë verifikim të pavarur.
Por denoncimi ngre pyetje që qeveria nuk mund t’i shmangë thjesht me heshtje: Çfarë po ndodh aktualisht me gazin e Delvinës? A po negociohet kalimi i tij te struktura të lidhura me Ron Yefet? Çfarë roli kanë shteti, KAYO dhe kompanitë private? Sa kapital do të investojë realisht privati dhe pse Ahmetaj pretendon se prej 9–10 muajsh Rama dhe Balluku po punojnë për t’ia kaluar Delvinën Yefet?