Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka paralajmëruar shtrengim masash në fundjavë për festat e 7-8 Marsit.
Ndërmjet një telegrami, Veliu u ka kërkuar strukturave vendore të policisë organizim, planifikim, instruksionin dhe drejtimin e shërbimeve për kontrollin e territorit, për monitorimin dhe për të mos lejuar organizime në vende të mbyllura dhe të hapura.
Në telegramin e drejtorit Ardi Veliu, kërkohet gjithashtu:
– Monitorimin e mbajtjes së detyruar të barrierës mbrojtëse (maskës) nga të gjithë qytetarët, gjatë qëndrimit apo lëvizjes në ambientet jashtë shtëpisë;
– Shtimin e kontrolleve në ambientet e lokaleve, bareve, restoranteve, duke njoftuar pronarët dhe administratorët për të mos organizuar apo lejuar grumbullime masive të qytetarëve gjatë festave të 7 dhe 8 Marsit;
– Ndërhyrjen për ndalimin e grumbullimeve më shumë se 10 persona në vende të mbyllura apo të hapura, për festime, mbledhje partiake, ceremoni fetare/martesore, konferenca apo tubime të ndryshme;
– Kufizimin/ndalimin e ushtrimit të aktivitetit të bareve, lokaleve, restoranteve, fast food-eve, nga ora 20:00 deri në orën 06:00;
– Kufizimin/ndalimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve pa arsye të domosdoshme, nga ora 20:00 deri në orën 06:00.
Sakaq, në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 792 shtetas, për moszbatimin e këtyre masave, konkretisht:
– Janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë, 785 shtetas, për mosvendosjen e maskës mbrojtëse;
– Është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë, pronari i një lokali që është konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë;
– Janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë, 5 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur me këmbë, pas orarit të lejuar;
– Gjithashtu, në qarkun Dibër, është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, një shtetas që ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit.