Në Gjykatën e Krimeve të Rënda po zhvillohet seanca për ankimimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri kundër zgjatjes me tre muaj të hetimeve.
Kujtojmë se ish-Prokuroria ka zgjatur hetimet për Tahirin me tre muaj të tjera, por ish-ministri e ka kundërshtuar dhe ka ankimuar në Gjykatë.
Seanca e sotme ka nisur me një debat mes Tahirit dhe prokurorëve në seancën që drejtohet nga gjyqtarja Liljana Baku.
Prokuroria ka kërkuar seancë me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor por kjo gjë nuk është pritur mirë nga Tahiri, aq sa ai e ka akuzuar gjyqtaren se ka trafikuar informacione.
“Për çfarë sekreti flisni kur unë këtu kam mesazhet se si prokuroria ka trafikuar pa fund lajme për dosjen time. Sekret hetimor s’ka më, seanca të vazhdojë me dyer të hapura”- ka thënë Tahiri, ndërkohë që gazetarët kanë respektuar vendimin e gjykatëses dhe kanë dalë jashtë.