Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç ishte e para që mori sot vaksinën e kompanive Pfizer dhe BioNtech në Institutin “Torlak” për Virologjinë. Më pas vaksinën e morën edhe ministri i Punës dhe dy virologë, anëtarë të shtabit të krizave.
Ndërkohë presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka thënë se dozat e para do t’i marrin të moshuarit nëpër shtëpi kujdesi.
“Është e rëndësishme që të mbrojmë këta njerëz, më shumë se 80 për qind e personave që kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm janë të moshuar dhe ata janë më të rrezikuarit”, ka thënë ai.
Sasitë e para të 4800 vaksinave të Pfizer dhe BioNtech mbërritën në Serbi të martën dhe nga e enjtja ato do të merren nga përdoruesit e shtëpive të të moshuarve në Beograd dhe Novi Sad. Serbia është vendi i parë në rajon që siguroi vaksinën nga kompanitë Pfizer dhe BioNtech. Sipas zyrtarëve, 20 mijë doza të tjera të vaksinës pritet të mbërrijnë brenda disa ditësh, ndërkohë që 340,000 doza të tjera priten në muajin janar.
Ndonëse Serbia nuk ka miratuar ende përdorimin e vaksinave, ky shtet pritet të përdorë edhe vaksinën e prodhuar nga Rusia kundër koronavirusit, Sputnik V dhe atë të Kinës, Sinopharm për të siguruar më shumë doza për popullatën me 7 milionë banorë. Vaksina e kompanive Pfizer/BioNTech është miratuar në Shtetet e Bashkuara, Britani, Kanada dhe Izrael.
Ndërkohë në Bashkimin Evropian përdorimi i vaksinës do të nisë më 27 dhjetor
/Gazetareforma.com/