SPAK ka zbardhur dje dy ngjarje të rënda kriminale të ndodhura 15 vite më parë dy ditë njëra pas tjetrës, ajo e vrasjes së Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt.
Nën akuzë për këto vrasje janë Luftar Reçi (i penduari i drejtësisë), Lulzim Berisha, Emiljano Shullazi, Plarent Dervishaj, Indrit Taullai dhe Viktor Ymeri.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetërin, 15 vite më parë kanë organizuar dhe më pas kanë vrarë Vajdin Lamajn dhe Klodian Saliun. Dëshmia e Luftar Reçit për Policinë dhe Prokurorinë ka bërë që këto ngjarje të zbardhen dhe të akuzuarit të dalin para drejtësisë.
Sot, është zbardhur për mediat dhe një pjesë e dëshmisë së Luftar Reçit.
“Në fillim të shkurtit kam takuar në Tiranë Lul Berishën. Takimi u realizua ne vendin e quajtur stacioni i trenit ne Tirane, vend ku une kisha nje kazino timen. Gjatë takimit Luli më ofroi një marrëveshje sipas së cilës unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Saliu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim. Ata më thanë se Klodian Saliu e kishte kundershtuar dhe kishin frike se mos i vriste.
Kujtoj se ka qenë muaji shkurt i vitit 2005, kur më ka telefonuar nga numri i tij celular te numri im celular shtetasi Lulzim Berisha. Luli më tha më gjej mua nga ato të “nëntat” (që ishin kallëpe tritoli) ku bëhej fjalë për një atentat të përgatitur nga unë për hasmit e mi në Dibër, atentat i parealizuar nga unë për arsye se hasmi im mbante me vete fëmijët e tij dhe unë nuk lejova shpërthimin sepse nuk doja të vrisja fëmijët.
Bombën me telekomandë që përgatitem ia dorëzuam Emiljano Shullazit”, ka rrëfyer para hetuesve i penduari i drejtësisë Luftar Reçi, duke shtuar “Viktori më tha se edhe kur u vra Vajdini unë nga burgu i gjeta njeriun që e mbaroi punën e vrasjes së Vajdinit se ata nuk ia kanë haberin dhe dinë vetëm me u hap bythësh”.
Luftar Reçi, i njohur ndryshe si i ‘tmerrshmi i Dibrës’ është personi që me dëshmitë e tij ka bërë që të rihapen dosjet e bujshme të dy vrasjeve të bujshme të ndodhura në vitin 2005, ajo e Klodian Saliut dhe e biznesmenit Vajdin Lamaj. Reçi është vënë në pranga për nje tjetër krim, autorësinë e të cilit nuk e ka pranuar ende.
Bëhet fjalë për një tjetër ngjarje të ndodhur më datë 12 maj në vitin 2005, vrasja e Maksim Lalës. Reçi u kap në Allias, në një banesë të marrë me qira në këtë zonë të kryeqytetit, në afërsi të serave.
Bashkë me Reçin, për vrasjen e Lalës u la në burg edhe nipi i tij, Taulant Elezi, që akuzohej si bashkëpunëtor./Gazetareforma.com/