Ish-kryetarja e Kuvendit, dhe ish-numri dy i PD-së, Jozefina Topalli, ka zyrtarizuar sot ndarjen përfundimtare me partinë që i dha kontribuar për gati 30 vite dhe ka nisur po zyrtarisht mbrëmjen e sotme një karrierë të re politike duke promovuar partinë e saj politike, me të cilën pritet të futet në zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Në një podium ku shkruhet slogani “Bashkë për ndryshim”, Topalli është shprehur se Shqipëria po rrëshqet në mënyrë të vazhdueshme prej pushtetit të gabuar. Ajo theksoi se, qytetarët duhet t’i bashkohen nismës që në pushtet të mos jetë më Meta, Rama apo Basha, por vetë shqiptarët.
Në një aktivitet të zhvilluar këtë mbrëmje, Topalli iu bëri thirrje shqiptarëve t’i bashkohen “Lëvizjes për Ndryshim”, pasi sipas saj, premton sfidën për të ndryshuar këtë vend.
Në fjalën e saj, Topalli tha se zgjedhjet e 25 prillit do të jenë momenti kur do të ndahet nëse Shqipëria do të jetë e Bashës, Metës dhe Ramës apo e shqiptarëve.
Por ashtu si nuk pritej, po sot asaj i ka ardhur edhe një mbështetje në “korespondencë” nga ish-kryetari i saj dhe lideri historik i PD-së, ish-kryeministri Sali Berisha.
Ky i fundit ka reaguar lidhur me lançimin e “Lëvizjes për Ndryshim” nga Topalli, dhe për krijimin e disa partive të reja nga të djathtët.
Konkretisht Berisha është pyetur për Topallin, Myslim Murrizin dhe Astrit Patozin, por ish-kryeministri, nuk preferoi të japë një koment të gjatë.
Duke përdorur një shprehje që e ka thënë që në vitet ’90-të, Berisha deklaroi në “Fax News” se, ata janë të lirë të zgjedhin.
“Nëse kthehemi në vitin ‘90, unë pata disa shkrime. Në njërën prej tyre unë jam shprehur se ‘thelbi i lirisë është zgjedhja e njeriut’. Kjo është thelbi i filozofisë ekzistencialiste, e cila në një farë mënyrë është filozofia e bashkëkohësisë e shekullit që shkoi dhe pasuroi shumë njerëzimit. Unë këtij mendimi i jam përmbajtur dhe i përmbahem”,- theksoi Berisha.
/GazetaReforma.com/