Qytetarët shqiptarë mund të rijnë edhe pa ujë të pijshëm, ose edhe pa kanalizime të ujërave të zeza, sepse më i rëndësishëm për qeverinë është kalimi i fondeve për bizneset “me leverdi”, siç janë edhe inceneratorët e mbetjeve.
Megjithëse në kohë pandemie dhe krize të thellë ekonomike, madje në një moment kur është e detyruar që të anulojë edhe disa nga PPP-të më të rëndësishme të klientëve të saj, qeveria nuk e kursen dorën kur bie fjala për Inceneratorin.
Ky duket se është një biznes me shumë leverdi, madje përfitimi i tij duket se ka ngrohur xhepat e shumë qeveritarëve, ende pa nisur mirë projekti i ndërtimit.
Ndryshe nuk ka se si shpjegohet fakti që qeveria, vetëm dy ditë më parë i ka kaluar 179 milionë lekë projektit të inceneratorit, ku jo vetëm emra biznesmeësh të dyshimtë, si Mirel Mërtiri apo Klodian Zoto, por edhe emra ministrash si Ahmetaj e Klosi, apo dhe kryebashkiakë si Veliaj, përfliten si të lidhur ngushtësisht me këtë investim.
Dhe paratë për t’ia kaluar si “investim mbështetës” projektit të inceneratorëve, qeveria i ka gjetur duke “qethur” fondin e “Furnizimit me ujë dhe kanalizime”.
Vendimi në fjalë merret në fillim të vjeshtës, periudhë e karakterizuar nga reshjet dhe që edhe ditët e fundit krijuan përmbytje në disa prej qyteteve të vendit.
Por jo vetëm kaq, ky fond ishte i parashikuar edhe për furnizimin me ujë të qytetarëve, të cilët edhe pse në 2020-ën, vijojnë të presin ujin me orar.
Por duket se kjo nuk ka rëndësi për qeverinë, e cila me një vendim ka firmosur shkurtimin e njërit fond dhe kalimin e tij për “Menaxhimin e mbetjeve urbane”.
Vendimi i Qeverisë
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Në buxhetin e vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, të bëhet rishpërndarja e fondeve ndërmjet programeve buxhetore, si më poshtë vijon:
- a) Në programin buxhetor 06370 “Furnizimi me ujë dhe kanalizime”, artikulli 231 “Shpenzime kapitale të trupëzuara”, zëri “Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm”, pakësohet fondi prej 179 000 000 (njëqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë) lekësh.
- b) Në programin buxhetor 06220 “Menaxhimi i mbetjeve urbane”, artikulli 231 “Shpenzime kapitale të trupëzuara”, zëri “Shpenzimet kapitale me financim të brendshëm”, shtohet fondi prej 179 000 000 (njëqind e shtatëdhjetë e nëntë milionë) lekësh.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
/GazetaReforma.com/