Skip to content
Rajoni

Greqi/ Sekretari Amerikan i Shtetit mbërrin në Selanik pas mesnate, takim me homologun grek…

· 2 min lexim

Tensionet në Egje dhe më tej në Mesdhe mes Greqisë dhe Turqisë kanë çuar sot në shtetin helen Sekretarin Amerikan të Shtetit për bisedime.

Sekretari SHBA-ve, Mike Pompeo, arriti në Selanik të Greqisë pas mesnatës, ku ka planifikuar të takohet me homologun e tij grek Nikos Dendias, në orën 10 të hënën.

Vizita e Pompeo në Greqi, e dyta në më pak se një vit, pritet të përqendrohet në thellimin e bashkëpunimit dypalësh ushtarak dhe planet greke për prokurimet e mbrojtjes, ndërsa vlerëson gjithashtu tensionet me Turqinë dhe zhvillimet në Mesdheun Lindor.

Në një dokument të lëshuar me rastin e vizitës së Pompeo, Departamenti i Shtetit tha se, Greqia “është një partner kritik me të cilin Shtetet e Bashkuara ndajnë qëllimet kryesore strategjike”.

SHBA-të e konsiderojnë Greqinë, “një shtyllë të stabilitetit në Mesdheun Lindor dhe Ballkanin Perëndimor dhe një partner jetik në forcimin e sigurisë dhe prosperitetit në rajon”,- thuhet në dokumentin e Departamentit të Shtetit.

Disa orë para udhëtimit të tij, Pompeo pati një diskutim për uljen e tensioneve  në Mesdheun Lindor me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Duke postuar në Twitter më pas në llogarinë e tij zyrtare, Pompeo tha se, ishte “i kënaqur” për të diskutuar çështjen me Stoltenberg dhe “për të përsëritur rëndësinë e unitetit të Aleancës së NATO-s”.

/GazetaReforma.com/