Sot ka nisur punë transporti publik ndërqytetas, por duke zbatuar të gjitha masat e përcaktuara si pjesë e parandalimit të koronavirusit.
Autobusët nga Korça, Vlora, Shkodra e Fieri do të udhëtojnë sot drejt Tiranës, por edhe drejt qyteteve të tjera.
Ata që kanë refuzuar të nisin punë janë urbanët e Tiranës.
Ministria e Shëndetësisë lejoi dje hapjen e tyre, por me 13 kushte për të shmangur përhapjen e COVID-19, kurse shoqata e transportit publik ka refuzuar. Shoqëritë që ushtrojnë aktivitetin në Tiranë kanë disa kërkesa drejtuar qeverisë.
Pak minuta më parë punonjësit e transportit publik janë duke zhvilluar një protestë para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës.
Ata janë ngritur në protestë pasi kërkojnë një tjetër pagë lufte.
Policia ka nisur të bëjë shpërndarjen e protestuesve, duke shoqëruar në ambientet e komisariatit edhe 2 persona, të cilët kanë kundërshtuar efektivët e policisë.
Kujtojmë këtu se protestat nuk lejohen me urdhër të kryeministrit Rama.
Kjo për shkak të masave të marra nga qeveria me qëllim për të shmangur rritjen e numrit të të infektuarve me Covid-19.
“Unë kam 15 vjet i siguruar, s’kanë mundësi të më japin një pagë tjetër lufte?
Të pakën një 300 mijë lekësh”, u shpreh një nga punonjësit.
“Dua të filloj puna, po duam që të marrin edhe një pagë. Kemi marrë 100 mijë lekë në muaj.
Çfarë pune ka filluar? Nuk ka pasagjerë. Nuk e di si do ja dalim”, tha një tjetër protestues.