Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka kërkuar ditën e sotme konfiskimin e pasurisë së ish-gjyqtarit Shkëlqim Miri, i cili është dënuar për korrupsion me 2 vite e 6 muaj burg.
Sipas “Report Tv”, mësohet se SPAK ka kërkuar konfiskimin e 144 mijë e 810 eurove, 1 mijë dollarëve dhe 9.3 milion lekëve cash të gjyqtarit Shkëlqim Mirit.
Nga hetimi pasuror, rezulton se Shkëlqim Miri nuk justifikon pasurinë.
Kujtojmë këtu se Shkëlqim Miri u arrestua në nëntor të vitit 2017, pasi u akuzua për korrupsion.
Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 2 vite e 6 muaj burg gjyqtarin e Apelit të Tiranës, por që tashmë ky dënim është kryer dhe ai është i lirë.
Pavarësisht dënimit të kryer, ish-gjyqtarit Miri do i duhet të përballet sërish me drejtësinë shqiptare.
Ai ka humbur të drejtën për të ushtruar funksionin e tij si gjyqtar.
Sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda, Shkëlqim Miri përfitoi 30 mijë euro ryshfet nëpërmjet Kujtim Mirit për të lënë në fuqi një vendim ndaj të dënuarit Gentian Doda.
Ky vendim do i sillte edhe lirinë Dodës, i cili ka qenë i akuzuar për një vrasje të ndodhur në vitin 1997.
Gjyqtarit në momentin e arrestimit iu sekuestruan në banesë 34 milionë lekë, një pjesë e të cilave iu kthyen pasi ai i justifikoi me faktin që i kishte marrë nga të afërmit për t’u kuruar nga tumori.