Bilanci nga COVID-19 është thelluar më shumë në vendin tone, pasi gjatë mbrëmjes së sotme ndërroi jetë një paciente 85-vjeçare nga Tirana, e cila ka mbërritur gjatë pasdites në Spitalin Infektiv, në gjendje të rëndë.
Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për disa orë, 85-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë, sepse vuante nga disa sëmundje kronike dhe u konfirmua me COVID-19 në spital.
Tashmë ka shkuar në 176 numri i të prekurve nga koronavirusi, teksa vetëm dje janë shënuar 28 raste të reja nga 103 testime, rritja më e madhe që nga fillimi i epidemies në vendin tonë.
Hartës së qyteteve të prekura tashmë i është shtuar edhe Tropoja, ku janë shënuar 2 raste, ndërsa në Spitalin Infektiv janë shtruar 73 persona, tre prej të cilëve në terapi intensive, ku dy prej tyre janë intubuar.
Në mesin e të prekurve janë edhe 4 fëmijë, gjendja e të cilëve është e stabilizuar.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 102 raste
– Durrës 10 raste
– Lushnje 4 raste
– Elbasan 5 raste
– Rrogozhinë 2 raste
– Fier 18 raste
– Kavajë 4 raste
– Korçë 11 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkoder 5 raste
– Lezhë 4 raste
– Berat 1 raste
– Has 2 raste
– Krujë 1 raste
-Tropojë 2 raste
Mes të prekurve janë edhe 10 mjekë dhe kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, i cili prej pak ditësh ndodhet në vetizolim pasi rezultoi pozitiv me koronavirus, teksa ka dyshime se mund të jenë infektuar edhe persona pjesë të Task-Forcës, apo Ministrisë së Shëndetësisë.