Një aksident ku janë përfshirë tri automjete ka ndodhur mëngjesin kësaj të diele në aksin kombëtar Tiranë-Elbasan, në afërsi të Rrethrrotullimit të Bradasheshit.
Bëhet me dije se njëri nga automjetet, si pasojë e përfshirjes në këtë aksident, ka dalë jashtë rruge dhe është përmbysur.
Sipas informacioneve zyrtare thuhet se e përfshirë në këtë vendngjarje ka qenë edhe një grua shtatzënë, e cila ka marrë plagë të lehta dhe fatmirësisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërsa, sa u përket 3 drejtuesve të përfshirë në këtë aksident dhe personave të tjerë që ndodheshin në makinë nuk kanë pësuar asnjë lloj dëmtimi.
Nga ana tjetër nuk janë ende të qarta rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, por policia paraprakisht dyshon për shkeljen e rregullave të qarkullimit dhe parakalim të gabuar të njërit prej automjeteve që qarkullonte nga Elbasani drejt Tiranës.
Kujtojmë se aksidentet e shumta rrugore kanë bërë që masat ndaj shoferëve të shtohen dhe në janar policia paralajmëroi se shumë shpejt, përveç dregerit të alkoolit, do përdorë edhe dragerin për të parë nëse drejtuesit kanë konsumuar lëndë narkotike.
Po ashtu, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi se për herë të parë në Shqipëri shoferët do t’i nënshtrohen të ashtuquajturit ‘testi i idiotit’, për të parë gjendjen e tyre psikologjike kur efektivët shohin sjellje të dyshimta.
Ndryshime pritet të bëhen në Kodin Rrugor, ku parashikohet që drejtuesit e rinj të automjeteve të kenë më shumë penalizim se të tjerët dhe kjo masë parashikon që shoferët të cilët kanë më pak se 3 vite që kanë marrë patentën do të ndëshkohen 50 % më shumë për disa nga shkeljet e qarkullimit rrugor, si: parakalimet e gabuara, për përdorimin e alkoolit, mosdhënien e përparësisë, e disa shkelje të tjera.
Masa do merren gjithashtu edhe për këmbësorët, pasi parashikohet një rritje e gjobës për ta, e cila do fillojë nga 1 mijë deri në 4 mijë lekë.
Ndryshime në Kodin Rrugor, ashpërsohen masat për shoferët e rinj dhe këmbësorët