Duket se 30 ditët e para si kryeministër nuk kanë qenë të lehta për Albin Kurtin, pasi po përballet me presionin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve për heqjen e taksës ndaj Serbisë.
Mirëpo, kujtojmë se Kurti nuk ka qenë ‘pro’ një marrëveshjeje me Serbinë, nëse ajo nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, madje për këtë fakt ai refuzoi edhe pjesëmarrjen në Samitin e 3 të ‘Mini-Shengenit’ ballkanik.
Mirëpo, pas kërcënimeve dhe presionit të vazhdueshëm të SHBA, Kurti vendosi të heq taksën ndaj Serbisë për 90 ditë dhe e ftoi atë të reflektontë dhe të njihte Pavrësinë e shtetit të Kosovës, pasi në të kundërt taksa do rikthehej.
Ky veprim nuk u pëlqye nga amerikanët, të cilët kanë kërcënuar edhe me heqjen e trupave ushtarakë dhe investimesh, teksa kanë ndarë politikanët në Kosovë në dy anë.
Ditën e sotme qarkulloi me shpejtësi lajmi se Albin Kurti ka shkruar një editorial për gazetën konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), lidhur me marrëveshjen që i kërkohet me ngulm.
Së fundmi është zbardhur edhe përmbajtja e këtij artikulli, i cili do botohet ditën e nesërme.
Fillimisht, kryeministri shprehet se është i vetëdijshëm se është mirë që të arrihet një marrëveshje mes vendeve, por nënvizon faktin se kjo marrëveshje duhet të jetë e balancuar.
“Një marrëveshje e mirë duhet të bazohet në parime demokratike.Vetëm kështu kjo marrëveshje mund të ketë sukses afatgjatë.”-shkruan Kurti.
Më pas sqaron se reciprociteti që kërkon ndaj Serbisë paraqet një hap të rëndësishëm për të arritur stabilitet ekonomik dhe politik mes tyre.
“Në aspektin afatgjatë,- nënvizon kryeministri Kurti,- reciprociteti është një hap i rëndësishëm për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore deri te normalizimi i plotë i këtyre marrëdhënieve. Normalizimi i raporteve ndërshtetërore mund të arrihet vetëm nëse palët “normalizuese” pajtohen për rregulla dhe parime të cilat i respektojnë të dyja palët. Vullneti i mirë dhe takimet në kushte të barabarta janë parakushte për të gjitha negociatat, të cilat synojnë krijimin e marrëdhënieve paqësore. Politika që synon revanshizmin ka një jetëgjatësi të shkurtër dhe nuk ka perspektivë. I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta mbikëqyrin procesin dhe paraprakisht të definojnë masat që do të merren kur nuk respektohen parimet dhe kur eventualisht shkelet marrëveshja”, shkruan Kurti më prestigjiozen gjermane.
Po ashtu, ai ka shkruar edhe rreth koalicionit qeverisës me Lëvizjen Demokratike të Kosovës, ku shpreht se ndonëse Vetëvendosja, forcë e qendrës së majtë progresive ka nënshkruar një marrëveshje me LDK, si parti e djathtë konservatore, ka bërë një premtim elektoral i cili nuk synon revanshizmin, por parimin e barazisë dhe drejtësisë për ndërtimin e marrëdhënieve tregtare konstruktive dhe bilaterale.
Kurti shkruan se tarifat 100% ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina i ka trashëguar nga qeveria paraprake.
“Parimi i reciprocitetit, ndërkaq, ka qenë përherë parim udhëheqës i partisë sime. Po ashtu, reciprociteti si vlerë buron nga koncepti i barazisë dhe është gjithkund i pranishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Paqja e qëndrueshme dhe barazia janë premisa udhëheqëse të qeverisë kosovare, kryeministër i së cilës jam nga fillimi i shkurtit. Respekti i ndërsjellë është i pashmangshëm për arritjen e këtyre qëllimeve, sepse vetëm kështu, një marrëveshje e mundshme mund të ketë efekte vërtet pozitive në jetën e njerëzve”, shkruan Albin Kurti në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Kryeministri nuk ka hezituar të shigjetojë SHBA-në, e cila ‘e ka vendosur me shpatulla pas murit’, tek shprehet se marrëveshjet e arritura “me detyrim dhe kërcënime” dhe jo duke u bazuar në respektin e ndërsjelltë nuk kanë vlerë as sa letra mbi të cilën hidhen “nënshkrimet”.
Për këtë arsye, shton Kurti, “ne duam që si shenjë të vullnetit të mirë dhe të gatishmërisë sonë për shmangien e ngatërresave politike, nga data 15 mars 2020 të heqim tarifat prej 100 për qind ndaj lëndës së parë të importuar nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Nëse pala serbe tregon vullnet të mirë, qeveria kosovare nga 1 prilli 2020 do t’i heqë plotësisht tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina për një periudhë prej 90-ditësh”, shkruan Kurti. Ai shpreson se Bashkimi Europian para Samitit të Zagrebit më 7 maj të heqë vizat për qytetarët e Kosovës. Në rast se Serbia nuk e respekton vullnetin e mirë të qeverisë kosovare për heqjen e barrierave ekonomike, tregtare dhe politike dhe rrjedhimisht nëse e vazhdon fushatën ndërkombëtare kundër Kosovës dhe po ashtu nëse nuk i heq barrierat ekzistuese tregtare, atëherë “ne më 1 prill do të nisim zbatimin hap pas hapi të parimit të reciprocitetit, së pari në tregti, pastaj edhe në ekonomi dhe në politikë”.
Në fund, Kurti premton: “Ne do të përqendrohemi në synimet tona parësore të politikës së brendshme, të cilat janë qenësore për jetën e njerëzve: vende të punës dhe sundim të ligjit. Për të arritur këtë, do të luftojmë me të gjitha mjetet korrupsionin dhe kështu, do të kujdesemi për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”.