Kryedemokrati Lulzim Basha i ka dërguar një letër ambasadores së Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim, lidhur me çështjen ‘Babale’, në të cilën PD pretendon se është i përfshirë Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
Top Channel ka siguruar letrën, ku Basha thotë se PD-ja publikisht përmes Ervin Salianjit ka paraqitur prova për përfshirjen e vëllait të Xhafajt në narko-trafik.
“Pavarësisht këtyre zhvillimeve, nën presionin politik të qeverisë, sistemi drejtësisë dështoi të bëjë dhe përfundojë një hetim për këto krime të dyshuara, përfshi tentativat për t’i mbuluar ato, me përfshirjen e zyrtarëve të lartë të policisë dhe politikanëve nga PS”.
Më tej, Basha shpalos edhe shqetësimin për atë që ndodhi me gjyqin e ish-deputetit Ervin Salianji.
“Gjyqi prodhoi shkelje flagrante të ligjit, nga një gjykatës haptas i lidhur me partinë në pushtet duke dënuar përfaqësuesin e PD Ervin Salianji dhe gazetarin investigativ Jetmir Olldashi me akuza absurde për raportime të rreme”.
Po ashtu, bashkë me këtë letër kreu i PD i ka nisur edhe një material përmbledhës për atë që e quan abuzim pushteti dhe presion politik, që ndëshkoi denoncuesit e një krimi për të mbrojtur autorët.
Kujtojmë se “Babalja” është një nga dosjet më të bujshme politike , ku Partia Demokratike ishte ajo që publikoi dy audio-regjistrime dhe ku më pas kërkoi largimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit.
Në këto audio-regjistrime supozohej se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Ky i fundit dha dorëheqjen pak kohë pas publikimit të video-përgjimit, ndërsa vëllai i tij u kthye në Itali për të vuajtur dënimin.
Pjesë e dosjes u bë dhe Fredi Alizoti, i cili akuzohet se ka imituar zërin e Agron Xhafajt në audiopërgjimin fillestar.
Ndërkohë, muajin e shkuar është publikuar hartën e intenerarit të ndjekur më 24 tetor 2017 (ditën kur pretendohet se është kryer regjistrimi) nga dyshja Albert Veliu-Jetmir Olldashi nga njëra anë dhe Agron Xhafaj nga ana tjetër.
Sipas tyre, rezulton se takimi i pretenduar nga selia blu mes Xhafajt dhe ‘Babales’, Albert Veliut, nuk ka ndodhur.
Për më shumë lexoni artikullin e mëposhtëm: