Dosja ‘Babalja’, a u takuan Agron Xhafaj dhe Albert Veliu? Zbardhet itinerari i tyre ditën e përgjimit

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

“Babalja” ishte një nga dosjet më të bujshme politike , ku Partia Demokratike ishte ajo që publikoi dy audio-regjistrime dhe ku më pas kërkoi largimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit.

Në këto audio-regjistrime supozohej se Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.

Ky i fundit dha dorëheqjen pak kohë pas publikimit të video-përgjimit, ndërsa vëllai i tij u kthye në Itali për të vuajtur dënimin.

Pjesë e dosjes u bë dhe Fredi Alizoti, i cili akuzohet se ka imituar zërin e Agron Xhafajt në audiopërgjimin fillestar.

Ditën e sotme gazeta “Dita” ka publikuar hartën e intenerarit të ndjekur më 24 tetor 2017 (ditën kur pretendohet se është kryer regjistrimi) nga dyshja Albert Veliu-Jetmir Olldashi nga njëra anë dhe Agron Xhafaj nga ana tjetër.

Lëvizjet e të treve paraqiten me anë të një grafiku, ku me ngjyrë blu është shënjuar lëvizja e Agron Xhafajt dhe me ngjyrë portokalli lëvizja e Jetmir Ooldashit dhe Albert Veliut.

Në deklaratën e tij në prokurori, Veliu ka deklaruar se takimi në momentin që është bërë “audio-regjistrimi” është zhvilluar në orën 17:30 te lokali Agron Xhafajt në Vlorë.

Mirëpo, bazuar te analizimi i qelizave telefonike, po në këtë orë, rezulton se ai dhe gazetari Jetmir Olldashi janë në Unazën e Madhe të Tiranës, kurse Agron Xhafaj gjendet në Lushnjë- dhe kjo hedh automatikisht poshtë versionin e parë të deklaruar nga “Babalja”.

Avokatët e ish-deputetit Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi, kanë dëshmuar një version të ri, duke pretenduar se takimi mes është zhvilluar në orën 12:30 – 13:45 po te lokali i Agronit në qytetin e Vlorës, version ky i cili gjithashtu bie poshtë pasi sipas qelizave telefonike, celularët e gazetarit Olldashi dhe denoncuesit “Babale”, ndodhen larg zonës së pretenduar.

Në orën 12:46 ata gjenden në Orikum, ndërsa në orën 13:47 kanë mbërritur te Marina në Lungomare dhe në orën 14:22 gjenden në Mifol, në dalje të qytetit të Vlorës.

Ndërsa Agron Xhafaj, në orën 12:45 gjendet në qytetin e Vlorës, në orën 13:45 gjendet në dalje të qytetit dhe në orën 14:27 në qytetin e Fierit, përkatësisht të paktën 40 km larg nga vendtakimi i pretenduar nga ish deputeti Ervin Salianji.

Bazuar në këto të dhëna rezulton se takimi i pretenduar nga selia blu mes Xhafajt dhe ‘Babales’, Albert Veliut, nuk ka ndodhur.

Shpërndaje
Share.

Komento