Skip to content
Të Gjitha

“Me mimoza në duar”. Tubimit të 2 marsit do i bashkohen edhe këto figura publike

· 2 min lexim

Ditën e hënë, më 2 mars, do zhvillohet tubimi i shumëpërfolur i organizuar nga presidenti Ilir Meta, në fokus të së cilit do të jetë mbrojtja e Kushtetutës.

Deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre disa figura publike, si: aktorët e humorit shkodran Zef Deda dhe Drande Xhaj, teksa ditën e sotme kanë konfirmuar prezencën e tyre dy persona të tjerë publik.

Bëhet fjalë për Ismail Morinën ose i njohur ndryshe si Ballist Morina, i cili do të kujtohet gjithmonë për banderolën me flamurin e Shqipërisë etnike që fluturoi mbi stadiumin e Beogradit, teksa luhej ndeshja Serbi-Shqipëri 5 vite më parë.

Personi i dytë është boksieri i njohur Kristian Demaj, i cili jeton në Gjermani.

Ka qenë vetë presidenti, i cili ka publikuar videon e boksierit, ku i uron mirëseardhjen në marshim,teksa shkruan që të vijë pa doreza sepse manifestimi do të jetë paqësor.

I lumtur që edhe Kampioni, Christian Demaj, pas triumfit të mbrëmshëm në Gjermani ku fitoi një tjetër titull, ka apeluar në mbështetje të Manifestimit Mbarëkombëtar të thirrur nesër më 2 mars.
Edhe pse ka lindur dhe jeton në Gjermani, Christiani përfaqëson vetëm ngjyrat Kuqezi. Mirësevjen kampion, por pa doreza, se Manifestimin e kemi paqësor“, shkruan Meta.

Ditën e djeshme Presidenca njoftoi se ka gjetur bashkëpunim në Institucinin e Policisë së Shtetit, e cila e ka miratuar lejen për këtë manifestim.

Manifestimi do zgjasë dy orë, ku pritet të fillojë në orën 17:00 dhe të përfundojë në orën 19:00.

“Me mimoza në duar”. Presidenca jep detaje për manifestimin e 2 marsit, thumbon Ambasadën e SHBA

Prej muajsh marrëdhënia Kryeministri-Presidencë është krisur dhe shkak është bërë zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Meta paditi vitin që shkoi kreun e KED, Ardian Dvorani, pasi e akuzon atë se ka shpërdoruar detyrën duke i dërguar dy lista njëherësh për dekretim, gjë të cilën Presidenti nuk e bëri.

Kuvendi nga ana tjetër dekretoi Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toskën, kurse Arta Vorpsi e cila ishte automatikisht e emëruar u ‘dogj’ nga Meta që dekretoi Xhaferllarin.

Disa ditë më parë, Meta lajmëroi se kallëzimit të tij do i shtojë disa padi të reja, teksa çoi në SPAK edhe sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë, Gentian Deva dhe drejtoreshën e Qendrës së Botimeve Zyrtare, Etleva Haxhia.