Në Gjykatën e Posaçme të Apelit është hedhur ditën e sotme shorti për dosjen e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Emrat e dalë nga shorti janë Nertina Kosova, Nure Dreni dhe Albana Boksi.
Kjo e fundit do të jetë kryesuese, ndërsa Kosova dhe Dreni do të jetë anëtarë.
“Në përgjigje të kërkesës tuaj, bazuar në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën për informim”, si dhe nenit 46 të ligjit 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” ju bëjmë me dije se: Në datë 20.02.2020 ora 13:30, u hodh shorti për caktimin e kolegjit penal që do shqyrtoj çështjen penale me nr. Akti 18 datë 19.02.2019. Shorti përcaktoi kolegjin penal të përbërë nga gjyqtarët: Albana Boksi Kryesuese, Nertina Kosova Anëtare, Nure Dreni Anëtare“, shkruhet në njoftimin e GJKKO.
Në shtator të 2019-ës, Tahiri u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 3.4 vite burg për “Shpërdorim detyre”, të cilat u konvertuan në shërbim prove.
Brenda 15 ditëshit, vendimi u ankimua si nga avokati i tij, por edhe Prokuroria, ndërsa pas 5 muajsh dosja ka kaluar më në fund në Apel.
Kjo vonesë ka ndodhur për shkak të konsumimit të të gjitha mënyrave proceduriale për të njoftuar të pandehurin tjetër, ish-shefin e policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Ky i fundit u gjykua në mungesë, ndërsa edhe sot e kësaj dite nuk është arrestuar ende.