Pas rreth 4 muajsh që nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, është arritur më në fund dakordimi mes Lëvizjes Vetëvendosja dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas shumë përpjekjesh dy partitë kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin qeverisës.
Nënshkrimi ishte paralajmëruar që ditën e djeshme dhe u bë nga liderët përkatës Albin Kurti i VV dhe Isa Mustafa i LDK.
Kurti tha se janë dakorduar që në qeverinë e ardhshme të kenë 15 ministri, 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra.
“Ne sot u takuam me Mustafën dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër por për ta zgjedhur qeverinë e re dhe ta jetësojmë ndryshimin e madh. Tashmë e kemi nënshkruar marrëveshjen. Jemi marrë vesh edhe për ndarjen e përgjegjësive përveç për programin. Unë ju falenderoj të gjithëve për durimin dhe përkrahjen gjatë këtij procesi që nuk ka qenë i lehtë”, tha Kurti.
Ndërsa, Mustafa tha se e vlereson këtë marrëveshje si një të mirë në dobi të Kosovës.
Sa i përket postit të kryeparlamentarit, Kurti tha se Glauk Konjufca nuk do të jap dorëheqje, por do të shkojë në ekzekutiv.
Kurse, posti i presidentit nuk do jetë pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Kujtojmë se zgjedhje e parakohshme janë mbajtur në tetor, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.
Ndërkohë që në dhjetor u themelua legjislatura e 7-të e Kuvendit të Kosovës.
Më 3 shkurt është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.
Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.
Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.