Një 22-vjeçar u arrestua ditën e sotme nga policia e Tiranës pas akuzave për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me forcë me një vajzë të mitur, ngjarje e regjistruar në Kamëz.
Ishte kjo e fundit e cila u paraqit në polici së bashku me babain, për të bërë denoncimin.
Siç shkruan “Top Channel”, e mitura ka thënë përpara policëve, se i riu i kërkonte foto nudo.
“A. Domin e njoha përmes rrjeteve sociale dhe pasi folëm gati një muaj ai erdhi me makinë dhe më mori në shkollë. Më kishte thënë emrin e mbiemrin dhe që ishte nga Kukësi. Pasi ndaloi makinën më kërkoi të hiqja rrobat, unë kundërshtova por ai më tha se donte të shikonte nëse isha e virgjër apo jo”, mësohet të ketë thënë e mitura në polici.
Vajza nuk ia ka thënë emrin e të dyshuarit babait, por ky i fundit ka kryer hetime dhe ka zbuluar identitetin e tij.
Ndërkohë i akuzuari ka mohuar akuzat, duke thënë se vajza e ka denoncuar nga frika e prindërve.
Policia bën me dije se gjatë këqyrjes së telefonit të të riut, janë zbuluar foto nudo të vajzës së mitur, në ditën kur ajo ka thënë se është përdhunuar.