Ditët e fundit ka bërë bujë padia e Edi Ramës për Ramush Haradinajn.
Kjo padi është dorëzuar më 15 janar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Akuzat kanë të bëjnë me deklaratat e përsëritura të Haradinajt se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçin, ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama kanë punuar në drejtim të realizimit të shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklaratat e tij, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit.
Padia e Ramës përmban mbi 30 faqe, ku përmenden disa dalje publike në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë.
Mirëpo Ramush Haradinaj nuk heq dorë nga deklaratat e tij.
I ftuar në emisionin ‘Çim Peka Live’ Haradinaj u ka qëndruar deklaratave të mëparshme, madje ka shtuar akuza të tjera.
Sipas tij, presidenti i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë janë koordinuar në qëndrimet e tyre për këtë projekt, të dëmshëm për Kosovën.
“Thaçi ka mbështetur një koncept të tillë. Kemi patur qëndrime të kundërta dhe në vështirësi kam vazhduar të mbajë këtë qëndrim. Kur kryetari i shtetit e merr vesh se vetë vendi është hedhur në rulo ruse, çka bën ai? E kuptoni sa e rëndë ka qenë për mua vetëm me dëgju këto fjalë”, deklaroi Haradinaj.
A ka qenë në sinkron Rama dhe Thaçi?
“Nuk besoj se nuk kanë qenë. Kanë patur një koordinim mes tyre. 6 muaj e fundit nuk e kam dëgjuar Thaçin të flasë për këtë temë, ndërsa shkuarja e kryeministrit të Shqipërisë në Serbi, pa qenë Kosova, imagjinoni ku ka ardh tejkalimi i Kosovës. Kryeministri i Shqipërisë mund të thoshte: “Mund të vijë atje, por jo pa Kosovën.”
Presim reagimin e Edi Ramës pas kësaj deklarate.