Prej kohësh marrëdhënia mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij në detyrë, Ramush Haradinaj, është prishur.
Ata kanë shkëmbyer vazhdimisht replika me njëri-tjetrin.
Ramush Haradinaj ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, atë të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramën se kanë punuar në drejtim të realizimit të shkëmbimit të territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kjo deklaratë e përsëritur nuk i ka pëlqyer aspak Ramës.
Madje ai i është drejtuar ligjit.
Kreu i ekzekutivit shqiptar ka ngritur padi ndaj Ramush Haradinajt.
Kjo padi është dorëzuar sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklaratat e tij, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit.
Padia Ramës përmban mbi 30 faqe, ku përmenden disa dalje publike në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë.
“Në datën 17.10.2019 e 29.10.2019, i Padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës (më poshtë referuar edhe si“i Padituri”gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360.gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm. Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në padi.
Rana nuk ka deklaruar një shumë sa i përket dëmit të pretenduar se i ka shkaktuar Haradinaj, por kërkon që ai të përgënjeshtrojë deklaratat e bëra.