Si pasojë e tërmetit 6.4 ballë që ka goditur Shqipërinë në orët e para të mëngjesit të së martës, është pezulluar puna edhe në aeoportin e Rinasit.
Por siç kanë njoftuar vetë përfaqësuesit e TIA-s, situata është rikthyer në normalitet disa minuta më vonë.
Si pasojë e lëkundjeve të orës 03:57, bëhet me dije se puna është pezulluar për rreth 30 minuta dhe i gjithë stafi i aeroportit të vetëm në vend është evakuuar.
Me qetësimin e situatës, në orën 04:28, fluturimet dhe operacionet në aeroport kanë rifilluar, duke shkaktuar një vonesë të vetme në fluturimin Tiranë-Beograd.
Reagimi i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”:
Informacion për udhëtarë që fluturojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
Si pasojë e lëkundjeve të forta të tërmetit mëngjesin e sotëm në orën 03:54 minuta, në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, u bë evakuimi i menjëhershëm drejt pikave të grumbullimit, si në zonë tokësore po ashtu dhe në zonë ajrore.
Menjëherë u kontrollua terminali, pista dhe zonat e manovrimit, i gjithë perimetri dhe stacionet e karburantit. Nga kontrollet e bëra nuk rezultoi të kishte dëme nga tërmeti.
Në orën 04:28 minuta, situata u normalizua dhe operimet filluan normalisht. Për shkak të situatës së krijuar, fluturimi për në Beograd u nis me 30 minuta vonesë.
Njoftojmë qytetarët se operimet në aeroport vijojnë normalisht.
Fluturim të mbarë dhe të sigurt.