Skip to content
Kryesore

Tronditet Brukseli/ Shqiptari ekzekutohet pranë Parlamentit Europian, pak orë më vonë vritet polici belg: Dyshime për të njëjtët autorë

· 2 min lexim

Dy vrasje të ndodhura brenda pak orësh në Bruksel dyshohet se janë kryer nga të njëjtët autorë. Fillimisht u ekzekutua me armë zjarri një shtetas shqiptar pranë Parlamentit Europian, ndërsa disa orë më vonë u vra polici belg, Nordine El Talbi, 41 vjeç.

Sipas gazetës belge “De Standaard”, pamjet e kamerave të sigurisë kanë nxjerrë në dritë elemente që lidhin dy ngjarjet, të ndodhura më 12 dhe 13 tetor.

Shqiptari u qëllua me shtatë ose tetë plumba në gjoks, rreth orës 17:50 të 12 tetorit, në hollin e një pallati në rrugën Wiertz, në komunën Ixelles, pranë Parlamentit Europian. Ai ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa tre ose katër persona u larguan menjëherë pas atentatit.

Viktima nuk kishte precedentë penalë në Belgjikë, por hetuesit dyshojnë se ekzekutimi mund të lidhet me konflikte në trafikun e drogës.

Disa orë më vonë, një polic belg u qëllua për vdekje gjatë një operacioni në Jette. Nordine El Talbi po kontrollonte një automjet Volkswagen T-Cross, të grabitur më herët në Tubize, kur personat brenda tij hapën zjarr. Një plumb e goditi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Sipas prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, në automjet ndodheshin pesë persona. Pas sulmit, autorët braktisën makinën dhe lanë pranë saj tre armë zjarri. Brenda automjetit u zbulua edhe një sasi e konsiderueshme droge.

Hetimet çuan në arrestimin e katër të dyshuarve jashtë Belgjikës: tre në Almería të Spanjës, ku dyshohet se po udhëtonin drejt Marokut, dhe një tjetër në Paris. Mes tyre ndodhet edhe një i mitur. Të katërt janë dorëzuar te autoritetet belge.

Dy persona të tjerë u arrestuan në Bruksel, por njëri u lirua për mungesë provash, ndërsa tjetri mbetet në paraburgim.

Sipas mediave belge, të dyshuarit janë banorë të Brukselit dhe njihen nga autoritetet për lidhje të dyshuara me trafikun e drogës.

Megjithëse fillimisht Prokuroria e Brukselit përjashtoi një lidhje mes ngjarjeve, provat e mbledhura më pas kanë forcuar dyshimet se pas të dyja vrasjeve qëndrojnë të njëjtët persona. Motivi dhe rrethanat e plota të krimeve mbeten ende nën hetim.