Pallatet e Armand Lilos të destinuara të digjen! Në flakë “Eyes of Tirana”, kulla me 7 kate pa leje që Bashkia bëri sikur nuk i pa!

Kulla “Eyes of Tirana”, e biznesmenit Armand Lilo, është përfshirë nga flakët në mes të revoltës qytetare që ka shpërthyer në kryeqytet. Ndërtesa me shtatë kate pa leje, e ngritur në zemër të Tiranës, përpara syve të Bashkisë që bëri sikur nuk e shihte çfarë po ndërtohej, rikthen në vëmendje një histori të gjatë denoncimesh për korrupsion, favorizime, përfitime nga pronat shtetërore dhe lidhje të pretenduara me drejtues të SPAK-ut.

Shtatë kate pa leje, përpara Bashkisë që “nuk i pa”
“Eyes of Tirana” u kthye në një prej simboleve më të debatueshme të ndërtimeve pa leje në kryeqytet. Në kullën e Armand Lilos u shtuan shtatë kate përtej lejes së miratuar, me një sipërfaqe prej rreth 4,600 metrash katrorë.
Ndërtimi u realizua në qendër të Tiranës, përpara institucioneve që kishin detyrimin ta kontrollonin. Megjithatë, punimet nuk u ndaluan në kohë. Institucionet reaguan vetëm pasi katet ishin ngritur.
U paralajmërua shembja dhe u vendos një gjobë prej rreth 1.3 milionë eurosh. Por gjoba u rrëzua në gjykatë, ndërsa shtatë katet pa leje mbetën në këmbë.
Një ndërtim që nuk mund të fshihej nga sytë e askujt u lejua të përfundonte në zemër të kryeqytetit. As paralajmërimet publike dhe as masat e shpallura nuk sollën shembjen e kateve të paligjshme.
Afera “Square 21”: Pronat shtetërore, Fatmir Xhafaj dhe Erion Veliaj

Historia e Armand Lilos nuk përfundon te “Eyes of Tirana”. Emri i tij lidhet edhe me denoncimet për projektin “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, ku janë ngritur akuza për përfitimin e pronave shtetërore përmes vendimeve të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës.
Më 21 shtator 2017, kompania “Arlis Ndërtim” mori leje ndërtimi për projektin, në një territor ku ndodheshin prona dhe ndërtesa në pronësi të shtetit.
Më 21 maj 2018, me propozim të ministrit të atëhershëm të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, qeveria miratoi VKM-në nr. 285, për kalimin e 13 pronave dhe ndërtesave përkatëse në pronësi të Bashkisë së Tiranës, me argumentin e zhvillimit ekonomik.
Vetëm disa muaj më vonë, më 15 nëntor 2018, Këshilli Bashkiak miratoi vendimin nr. 146, duke hapur negociatat mes Bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj dhe kompanisë “Arlis Ndërtim”.
Marrëveshja parashikonte që kompania të ndërtonte për Bashkinë një godinë pesëkatëshe, me sipërfaqe 4,400 metra katrorë. Në këmbim, Bashkia do t’i jepte kompanisë trojet publike dhe do të miratonte prishjen e ndërtesave ekzistuese.
Në qendër të denoncimeve janë 6,399.78 metra katrorë truall dhe 5,903.39 metra katrorë ndërtesa shtetërore, të cilat Bashkia i deklaroi të shembura.
Akuzat përfshijnë edhe zmadhimin e sipërfaqes së truallit dhe zvogëlimin në dokumentacion të sipërfaqes së ndërtesave, duke ngritur dyshime për favorizimin e kompanisë private në administrimin e pronës publike.
Nga depozitimi falas i dherave te lidhjet me SPAK-un
Një tjetër favorizim i denoncuar lidhet me landfillin e Sharrës, ku kompania e Armand Lilos është akuzuar se ka përfituar depozitimin falas të dherave të ndërtimit, ndërkohë që kompani të tjera paguajnë për këtë shërbim.
Këtyre denoncimeve u shtohen edhe pretendimet për lidhje të biznesmenit me drejtues të SPAK-ut, institucionit ku kanë përfunduar dokumente dhe kallëzime për veprimtarinë e kompanive të tij.
Ndërsa shtatë katet pa leje mbetën në këmbë dhe marrëveshjet për pronat publike u vunë në qendër të akuzave, mbetet ende pyetja se çfarë përgjegjësish janë verifikuar nga institucionet e drejtësisë.
Pallatet e “Arlis” në flakë edhe më parë, dy qytetarë të plagosur nga skelat

Një tjetër kompleks i ndërtuar nga “Arlis”, pranë tregut të Medresesë dhe konvikteve të Mjekësisë, është përfshirë dy herë nga zjarri.
Në vitin 2021, fasada e kompleksit u përfshi nga flakët ndërsa objekti ishte ende në ndërtim. Më 14 prill 2026, zjarri u përsërit në të njëjtën godinë, duke u përhapur me shpejtësi përgjatë fasadës dhe duke rrezikuar jetën e banorëve.
Familjet u detyruan të evakuoheshin në panik, disa banorë u shpëtuan nga ballkonet dhe pati persona që u transportuan në spital. Përsëritja e zjarrit ngriti shqetësime serioze mbi cilësinë e materialeve, standardet e sigurisë dhe kontrollet e ndërtimit.
Në vitin 2024, një tjetër incident i rëndë ndodhi në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, ku skelat metalike të një pallati në ndërtim të “Arlis Construction” ranë mbi Imelda Shkëmbin, bashkëshorten e ish-futbollistit Bledi Shkëmbi, dhe babanë e saj, Hysen Lavdari, 70 vjeç.
Të dy pësuan dëmtime serioze dhe qëndruan për javë të tëra në spital. Në maj të vitit 2025, Imelda Shkëmbi kërkoi në gjykatë 100 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim, si dhe vendosjen e sekuestros konservative mbi pasuritë dhe llogaritë bankare të kompanisë.
Revolta qytetare dhe kulla që shteti nuk e shembi
Përfshirja e raportuar e “Eyes of Tirana” nga flakët gjatë protestave e vendos sërish në qendër të vëmendjes një ndërtesë që prej vitesh shoqërohet me akuza për shkelje të ligjit dhe favorizim institucional.
Shtatë kate pa leje që nuk u shembën, mijëra metra katrorë prona shtetërore në qendër të denoncimeve, marrëveshje me Bashkinë, akuza për korrupsion, lidhje me SPAK-un dhe incidente të rënda në ndërtimet e kompanisë.
Në mes të revoltës qytetare, kjo histori rikthen një mesazh të fortë: Populli nuk harron. Populli nuk fal. Zemërimi ndaj pandëshkueshmërisë nuk shuhet duke lënë pa përgjigje shkeljet dhe përgjegjësitë e institucioneve.