Skip to content
Kryesore

Bojkoti “ngrin” gjyqin ndaj Veliajt, GJKKO gjobit avokatët me 50 mijë lekë

· 2 min lexim

Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë sërish në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shkak të mungesës së avokatëve që vijojnë bojkotin kundër rregullores së re të GJKKO-së.

Rregullorja, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator, kundërshtohet nga avokatët, ndërsa bojkoti i tyre ka sjellë bllokimin e seancave gjyqësore prej afro një muaji.

GJKKO ka vijuar ndërkohë me masat ndaj avokatëve që marrin pjesë në bojkot, duke i gjobitur me nga 50 mijë lekë. Për të pandehurin, ndërkohë, pezullohen afatet e paraburgimit.

Seanca e radhës ndaj Veliajt është caktuar për më 13 tetor, në orën 10:00.

Bojkoti i avokatëve nisi më 9 shtator dhe prej asaj date, për gati një muaj, në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është zhvilluar asnjë gjyq.

Më 23 shtator, Këshilli Drejtues i Dhomës së Avokatisë votoi me shumicë për vijimin e bojkotit. Dy ditë më herët, më 21 shtator, GJKKO kishte gjobitur mbi 10 avokatë me nga 50 mijë lekë të rinj.

Gjykata e Posaçme ka bërë të ditur se rregullorja e re do të vijojë të zbatohet, duke e bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga zbatimi i saj.

Erion Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste.

Ndaj Veliajt rëndojnë gjithashtu akuzat për “shpërdorim detyre”, “pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, si dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive dhe interesave privatë.