“Zemër, do përfundojmë keq”/ Zbardhen mesazhet Hyseni–Agasi, mbi 100 telefonata dhe dokumente sekrete të SHISH në makinën e biznesmenit

Detaje të forta dalin nga hetimet për komunikimet mes ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe biznesmenit Ergys Agasi. Mesazhe të publikuara nga Report Tv, më shumë se 100 telefonata në më pak se dy muaj, qindra mesazhe, videocall-e, shkëmbime fotosh e videosh, si dhe nëntë faqe me të dhëna sekrete të SHISH të gjetura në makinën e Agasit janë elementet që, sipas burimeve të medias, SPAK ka administruar në kuadër të hetimit.
Veçanërisht të forta janë mesazhet që Hyseni dyshohet se i ka dërguar Agasit.
“Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”, i shkruante Hyseni Agasit.
Një tjetër komunikim është regjistruar vetëm katër ditë përpara arrestimit të biznesmenit. Hyseni i shkruante:
“Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha.”
Mesazhet marrin rëndësi edhe për shkak të versionit që Hyseni ka dhënë për raportin me Agasin. Ajo ka pretenduar se komunikimet zhvilloheshin në cilësinë e tij si bashkëpunëtor, duke argumentuar se SHISH punon me bashkëpunëtorë.
Por, SPAK pretendon se të dhënat e administruara tregojnë një komunikim të një natyre tjetër: kontakte të përditshme dhe të zgjatura në kohë, telefonata me videocall, si dhe shkëmbim fotosh e videosh.
Vetëm nga 28 qershori deri më 26 gusht, kur Agasi u arrestua, mes tyre rezultojnë më shumë se 100 telefonata dhe qindra mesazhe. Sipas të njëjtave burime, SPAK vlerëson se këto komunikime nuk janë zhvilluar në cilësinë e bashkëpunëtorit.
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes janë dokumentet sekrete të SHISH të gjetura në makinën e Agasit.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në “Equos Resort” më 22 korrik, SPAK, sipas Report Tv, ka gjetur në automjetin e biznesmenit nëntë faqe Word me diagrame dhe të dhëna sekrete të SHISH.
Agasi, i arrestuar në lidhje me abuzimet me tenderët e AKSHI-t, mësohet se ka pranuar në seancë se dokumentet i përkisnin atij. Madje, ai ka deklaruar se i kishte lënë qëllimisht në automjet që të gjendeshin nga Prokuroria.
Mesazhet, intensiteti i komunikimeve dhe dokumentet sekrete të gjetura në automjet janë tashmë pjesë e elementeve që rëndojnë në hetimin mbi raportin mes Hysenit dhe Agasit, ndërsa ndaj ish-drejtueses së SHISH është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.