Beteja për Aeroportin e Vlorës/ Arbitrazhi i Londrës bllokon qeverinë: Ndalon marrjen e kontrollit dhe zëvendësimin e koncesionarit

Qeverisë shqiptare i bllokohet, të paktën për momentin, përpjekja për të marrë kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Një urdhër emergjent i datës 16 shtator 2026, i dhënë në procedurën e arbitrazhit të administruar nga ICC, ndalon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë të marrë posedimin apo kontrollin operacional të aeroportit, pas njoftimit për zgjidhjen e parakohshme të kontratës koncesionare.
Masa e sigurimit urdhëron Ministrinë të mos kërkojë dorëzimin e aseteve të aeroportit dhe të mos zëvendësojë shoqërinë koncesionare Vlora International Airport (VIA) me një operator tjetër. Po ashtu, ndalohet çdo veprim që mund të ndryshojë gjendjen ekzistuese apo të përshkallëzojë mosmarrëveshjen, deri në ngritjen e Tribunalit të Arbitrazhit që do të shqyrtojë çështjen në themel.
Vendimi nuk përcakton ende nëse zgjidhja e kontratës nga qeveria është ose jo e vlefshme. Megjithatë, ai bllokon përkohësisht pasojat kryesore të kësaj procedure: qeveria nuk mund të marrë kontrollin e aeroportit dhe as t’ia kalojë projektin një operatori tjetër.
Zhvillimi vjen pikërisht në momentin kur procedura e nisur nga Ministria po hynte në një fazë vendimtare. Njoftimi për zgjidhjen e kontratës ishte bërë më 5 gusht dhe parashikohej të hynte në fuqi më 17 shtator, pas përfundimit të afatit prej 30 ditësh pune. Ndërkohë, VIA kishte nisur më herët lëvizjet për ta kundërshtuar këtë procedurë në arbitrazh dhe për të kërkuar masë sigurimi që do të bllokonte prishjen e kontratës.
Urdhri i 16 shtatorit ndryshon kështu situatën në terren: deri në shqyrtimin e mëtejshëm të konfliktit, autoritetet shqiptare nuk mund të krijojnë një situatë të re duke marrë kontrollin operacional, asetet apo duke zëvendësuar koncesionarin.
Megjithatë, kjo nuk përbën një vendim përfundimtar mbi konfliktin mes palëve. Thelbi i mosmarrëveshjes dhe vlefshmëria e zgjidhjes së kontratës mbeten për t’u shqyrtuar nga arbitrazhi.
Për Aeroportin e Vlorës, përplasja juridike shton një tjetër element pasigurie. Nëse qeveria dhe koncesionari nuk arrijnë një zgjidhje dhe konflikti vijon në arbitrazh, projekti mund të përballet me vonesa të mëtejshme, ndërsa beteja për kontratën dhe kontrollin e aeroportit kalon tashmë në një fazë ndërkombëtare.