Skip to content
Kryesore

25 vite burg për Jakup Krasniqin/ Gjykata e Hagës e gjen fajtor për katër krime lufte, rrëzohen akuzat për përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore dhe zhdukje me forcë

· 2 min lexim

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe një prej ish-krerëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi, është dënuar me 25 vite burg nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Në dënim do të llogaritet edhe koha që ai ka kaluar në paraburgim.

Trupi gjykues e shpalli Krasniqin fajtor për arrestim të paligjshëm si krim lufte ndaj së paku 385 personave, trajtim mizor ndaj së paku 49 personave, torturë ndaj së paku 303 personave dhe vrasje të paligjshme ndaj 96 personave.

Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari bëri të ditura edhe dënimet e përcaktuara veçmas për secilën vepër: 15 vite burg për arrestim të paligjshëm, 4 vite për trajtim mizor, 20 vite për torturë dhe 23 vite për vrasje të paligjshme. Në përfundim, gjykata caktoi një dënim të njësuar prej 25 vitesh burg.

“Jakup Krasniqi, shpalleni fajtor për arrestim të paligjshëm si krim lufte, kryer kundër së paku 385 personave. Trajtim mizor si krim lufte, kryer kundër së paku 49 personave. Torturë si krim lufte, kryer kundër së paku 303 personave dhe vrasje të paligjshme si krim lufte kryer kundër 96 personave.

Shpalleni i pafajshëm për një numër krimesh luftesh, sepse nuk u vërtetuan. I pafajshëm për përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore dhe zhdukje me forcë. Dënimi përcaktohet me dënim më vete për secilën vepër penale. Më pas dënimi i njësuar.

15 vite burg për arrestim të paligjshëm, 4 vite për trajtim mizor, 20 vjet për torturë dhe 23 për vrasje të paligjshme. Dënoheni me dënim të njësuar me 25 vite, ku llogaritet dhe koha e kaluar në paraburgim”, u shpreh gjyqtari.

Krasniqi u shpall ndërkohë i pafajshëm për përndjekje, burgosje, akte çnjerëzore dhe zhdukje me forcë, pasi trupi gjykues konstatoi se këto akuza nuk u vërtetuan.