Rame “kryeplaku” bën sikur u shpall luftë oligarkëve/ Po kush ua dha tokat, lejet dhe statusin strategjik?

Kur një konflikt pronësie mes biznesmenëve të fuqishëm përfundon me armë, ndërsa në sfond dalin dokumente pronësie, vendime shtetërore, leje ndërtimi, statusi i investitorit strategjik dhe lidhje të vjetra me pushtetin, problemi nuk mund të mbyllet me një batutë për mbjelljen e ullinjve.
Megjithatë, pikërisht këtë rrugë ka zgjedhur Edi Rama për përplasjen mes Bujar Muçës dhe Leonard Bedinit për pronën në Palasë. Kryeministri ka deklaruar se toka për të cilën ka shpërthyer konflikti do të merret nga shteti dhe aty do të mbillen ullinj.
Por pyetja është shumë më e thjeshtë: Kush e çoi këtë pronë deri në pikën ku palët pretendojnë të drejta mbi të?
Shqipëria ka Kadastër, polici, prokurori dhe gjykata. Ka institucucionet që duhet të përcaktojnë pronësinë, të hetojnë falsifikimet apo mbivendosjet dhe të çojnë përpara përgjegjësit nëse ligji është shkelur. Atëherë pse Edi Rama shfaqet personalisht si arbitër i një konflikti mes dy biznesmenëve?
Dhe mbi të gjitha, pse kërcënon me marrjen e tokës, por nuk dëgjohet të kërkojë me të njëjtën forcë përgjegjësi nga ata që prodhuan, firmosën, regjistruan apo administruan dokumentet mbi të cilat mbështetet konflikti?
Për të njëjtën hapësirë janë prodhuar dy AMTP në periudhën kur Bashkia e Himarës drejtohej nga Jorgo Goro. Ndaj nuk kemi vetëm një sherr privat. Kemi një problem që të çon drejt e në zyrat e shtetit.
Kush i prodhoi dokumentet? Kush i firmosi? Kush i regjistroi? Si përfundoi e njëjta tokë në një konflikt të tillë? Çfarë ka bërë Kadastra? Dhe nëse janë kryer shkelje, pse Rama nuk thotë se përgjegjësit e Kadastrës apo zyrtarët që kanë futur Shqipërinë në këtë kaos pronësie duhet të përballen me drejtësinë?
Në vend të këtyre përgjigjeve, shqiptarëve u serviren ullinjtë.
Por edhe pozicioni i Bujar Muçës e bën të pamundur që Rama ta paraqesë historinë thjesht si përplasje mes privatësh. Muça nuk është një biznesmen pa histori marrëdhëniesh me shtetin. Qeveria e Edi Ramës e ka pajisur atë me statusin “investitor strategjik”, ndërsa emri i tij dhe interesat e biznesit janë lidhur më herët me vendimmarrje shtetërore, leje ndërtimi dhe financime politike.
Pikërisht këtu historia bëhet politike.
Kur biznesmenët financojnë fushata, marrin leje ndërtimi, përfitojnë vendime nga institucionet dhe më pas gjenden në qendër të konflikteve për prona me vlera marramendëse, kryeministri nuk mund të paraqitet në fund të zinxhirit sikur sapo ka mbërritur në vendngjarje dhe nuk di asgjë për atë që ka ndodhur më parë.
Sepse pushteti nuk mund të jetë njëkohësisht ai që jep statuset, administron pronat, firmos lejet, kontrollon institucionet për vite me radhë dhe, kur sistemi shpërthen, të luajë rolin e arbitrit të paanshëm.
E njëjta gjë vlen edhe për Zvërnecin.
Nëse Edi Rama ka zbuluar papritur formulën se pronat që prodhojnë konflikte mes interesave të mëdha private duhen marrë nga shteti, atëherë pse ky standard nuk aplikohet edhe në Zvërnec? Pse nuk shpronësohen edhe atje sipërfaqet ku interesat private dhe projektet e mëdha kanë ngritur prej kohësh pikëpyetje, pakënaqësi e revoltë mbi pronën dhe interesin publik?
Pse Palasa meriton ndërhyrjen personale të Kryeministrit, ndërsa Zvërneci jo?
Problemi, pra, nuk është se çfarë peme do të mbjellë Rama mbi tokën e Muçës dhe Bedinit. Problemi është kush e njohu pronën, kush dha lejet, kush dha statuset, kush mori financimet politike dhe kush përfitoi nga vendimet e shtetit.
Nëse Rama kërkon vërtet të zgjidhë këtë histori, nuk ka nevojë të luajë kryeplakun e Palasës. Ka në dorë një shtet të tërë.
Le të hapen dosjet e pronës. Le të kontrollohen AMTP-të. Le të bëhen publike gjurmët e regjistrimeve në Kadastër. Le të verifikohen lejet dhe vendimmarrjet shtetërore. Le të shihet marrëdhënia e përfituesve me qeverinë dhe financimet e fushatave. Dhe, nëse dokumentet janë prodhuar në kundërshtim me ligjin, përgjegjësit të mos fshihen pas batutës së radhës së Kryeministrit.
Sepse plumbat mund të jenë shkrepur në Palasë, por nëse konflikti është prodhuar nga dokumentet, firmat dhe favoret, gjurmët e tij duhen kërkuar në zyrat e shtetit.