Skip to content
Kryesore

Nafta u mori shqiptarëve 80 mln euro më shumë në 5 muaj, qeveria përfitoi nga taksat

· 5 min lexim

Shtrenjtimi i naftës u ka kushtuar shqiptarëve rreth 80 milionë euro më shumë në vetëm pesë muaj, ndërsa konsumi i karburanteve pothuajse nuk është ulur. Në të njëjtën kohë, qeveria nuk ka ndërmarrë masa të konsiderueshme lehtësuese, pavarësisht se Shqipëria vijon të ketë një nga ngarkesat më të larta fiskale mbi karburantet në rajon.

Në teori, rritja e çmimit të karburanteve duhet të sjellë reduktimin e përdorimit të automjeteve. Në Shqipëri, kjo lidhje rezulton shumë më e dobët, kryesisht për shkak të mungesës së alternativave të zhvilluara të transportit publik, veçanërisht jashtë Tiranës dhe për lëvizjet ndërqytetëse. Shqipëria mbetet gjithashtu vendi i vetëm në Europë pa transport hekurudhor funksional për pasagjerët, duke e bërë automjetin një domosdoshmëri për një pjesë të madhe të qytetarëve.

Të dhënat e importeve për periudhën mars-korrik 2026 e pasqyrojnë këtë situatë. Gjatë këtyre pesë muajve u importuan rreth 305.8 mijë tonë karburante, vetëm 1.2% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur importet arritën në rreth 309.6 mijë tonë.

Rënia e lehtë u ndikua kryesisht nga prilli dhe maji, kur sasitë e importuara ishin përkatësisht 14.3% dhe 7.3% më të ulëta se një vit më parë. Në mars, importet u rritën me 2.8%, ndërsa gjatë verës tendenca ndryshoi sërish.

Në qershor, importet u shtuan me 4.6%, ndërsa në korrik me 6.9%, të ndikuara edhe nga shtimi sezonal i lëvizjeve dhe fluksi turistik.

Por ndërsa sasia e konsumuar ndryshoi shumë pak, fatura e paguar për karburantet u rrit ndjeshëm.

“Monitor” ka përllogaritur se, duke supozuar se karburantet e importuara kanë kaluar për konsum në tregun vendas, për sasitë e futura në Shqipëri nga marsi deri në korrik janë shpenzuar rreth 71.3 miliardë lekë, bazuar në çmimin mesatar mujor të naftës në tregun vendas.

Nëse e njëjta sasi karburanti do të ishte blerë me çmimin mesatar të vitit të kaluar, prej rreth 175 lekësh për litër, fatura do të arrinte në rreth 63.7 miliardë lekë.

Diferenca është rreth 7.6 miliardë lekë, ose afërsisht 80 milionë euro më shumë të paguara nga konsumatorët vetëm si rezultat i shtrenjtimit të karburantit.

Efekti ishte veçanërisht i fortë në muajt kur nafta qëndroi në nivele të larta. Në mars, çmimi mesatar ishte 198.4 lekë për litër, në prill u ngjit në 209.5 lekë, ndërsa në maj ishte 197.5 lekë. Në qershor pati një lehtësim të përkohshëm, me mesataren që zbriti në 182.4 lekë, por në korrik çmimi u rrit sërish në 195.6 lekë për litër.

Vetëm gjatë korrikut, rreth 75.8 mijë tonë karburante të importuara përllogariten në rreth 90.2 milionë litra, duke marrë si bazë konvertimin prej rreth 1190 litrash për një ton.

Me çmimin mesatar prej 195.6 lekësh për litër, fatura e korrikut arrin në rreth 17.6 miliardë lekë. Me çmimin prej 175 lekësh për litër, e njëjta sasi do të kishte kushtuar rreth 15.8 miliardë lekë.

Situata ishte edhe më e fortë në prill, kur çmimi mesatar arriti kulmin e periudhës, në 209.5 lekë për litër. Edhe pse importet ranë ndjeshëm, tkurrja e konsumit nuk mjaftoi për të kompensuar shtrenjtimin. Për rreth 61.9 milionë litra të përllogaritura, konsumatorët paguan rreth 13 miliardë lekë, mbi 2.1 miliardë lekë më shumë sesa do të paguanin me çmimin mesatar të vitit të kaluar.

Shqipëria ndërkohë ka naftën rreth 30% më të shtrenjtë se vendet e rajonit, diferencë që lidhet në një masë të madhe me ngarkesën fiskale.

Pavarësisht kësaj barre më të lartë, masat e ndërmarra në Shqipëri për të zbutur efektin e shtrenjtimit kanë qenë më të kufizuara krahasuar me ndërhyrjet e vendeve të tjera të rajonit.

Kosova vendosi kufij maksimalë për marzhet e tregtimit të karburanteve, ndërsa Maqedonia e Veriut ndërhyri duke ulur TVSH-në dhe akcizat. Serbia uli akcizën e naftës, ndërsa edhe Mali i Zi përdori uljen e akcizave për të frenuar efektin e çmimeve të larta te konsumatorët.

Në Shqipëri, përveç ndërhyrjes përmes Bordit të Transparencës, ulja me 20% e akcizës u aplikua vetëm për një periudhë shumë të shkurtër, pasi çmimi i naftës kaloi pragun prej 220 lekësh për litër.

Masa u aktivizua vetëm në fillim të prillit, kur nafta arriti në 224 lekë për litër. Më pas, çmimet qëndruan nën nivelin që do të aktivizonte përsëri uljen.

Ndërkohë, taksat vazhdojnë të zënë një pjesë të konsiderueshme të çmimit që qytetarët paguajnë në pompë. Akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe TVSH-ja përbëjnë së bashku mbi 100 lekë për çdo litër naftë, duke kufizuar edhe transmetimin e plotë të rënies së çmimeve ndërkombëtare te konsumatori shqiptar.

Nga kjo situatë, përfituesja më e madhe deri tani rezulton qeveria, e cila ka arkëtuar më shumë të ardhura nga TVSH-ja për shkak të çmimeve më të larta. Nga ana tjetër, ajo ka shpenzuar vetëm 37 milionë lekë për masën lehtësuese të aplikuar gjatë ditëve të prillit kur nafta kaloi nivelin 220 lekë për litër dhe u aktivizua ulja me 20% e akcizës.