14 protestues në pranga pas bllokimit të Kryeministrisë, Policia: Kundërshtuan efektivët

Policia e Tiranës ka arrestuar 14 persona dhe ka proceduar penalisht tre të tjerë pas protestës së zhvilluar më 1 shtator pranë Kryeministrisë, ku një grup tubuesish bllokoi hyrje-daljet e godinës në kohën kur brenda saj ndodheshin kryeministri Edi Rama dhe, sipas Policisë, personalitete të larta shtetërore.
Arrestimet vijnë pas përplasjes së protestuesve me efektivët, ndërsa Policia pretendon se tubuesit kundërshtuan me forcë punonjësit e saj, refuzuan të largoheshin dhe vijuan të mbanin të bllokuar hyrjen e Kryeministrisë.
Ngjarja rikthen një tjetër debat që shoqëron protestat kundër qeverisë: përdorimin e Policisë dhe të procedimeve penale ndaj qytetarëve që përplasen me autoritetet gjatë tubimeve. Përtej përgjegjësisë individuale që duhet të përcaktohet nga drejtësia për çdo veprim të paligjshëm, arrestimi i 14 protestuesve brenda një nate ngre pikëpyetje mbi proporcionalitetin e reagimit dhe efektin dekurajues që masa të tilla mund të kenë mbi të drejtën për të protestuar.
Gazeta Reforma e ka ngritur edhe më parë këtë shqetësim: kur pakënaqësia kalon nga rrjetet sociale në rrugë, përballë qytetarëve nuk qëndron më vetëm qeveria që ata kundërshtojnë, por edhe aparati shtetëror i rendit. Në këtë kuptim, arrestimet dhe procedimet penale rrezikojnë të perceptohen jo vetëm si zbatim i ligjit, por edhe si një mesazh për qytetarët e tjerë mbi koston që mund të ketë dalja në protestë.
Sepse problemi politik për një qeveri nuk janë vetëm njerëzit që ndodhen sot përpara Kryeministrisë. Siç kemi shkruar edhe më herët: “Protestuesin Rama e sheh në shesh. Të zhgënjyerin në shtëpi nuk e numëron dot.”
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 20:00 të 1 shtatorit, protestuesit u grumbulluan në rrugën “Ismail Qemali”, në anën jugore të Kryeministrisë, duke bllokuar hyrje-daljet e institucionit. Policia ngriti një kordon sigurie dhe deklaron se për rreth 30 minuta u kërkoi tubuesve, nëpërmjet megafonit, të shpërndaheshin dhe të lironin rrugën.
Policia pretendon se protestuesit nuk iu bindën thirrjeve dhe, gjatë ndërhyrjes për zhvendosjen e tyre, “bënë rezistencë aktive, u ulën në rrugë, vijuan bllokimin e hyrjes së institucionit dhe të rrugës, si dhe goditën dhe shtynë punonjësit e Policisë”.
Në flagrancë u arrestuan D. G., 50 vjeç; J. M., 38 vjeç; E. L., 28 vjeç; E. A., 35 vjeç; S. B., 50 vjeç; L. Gj., 47 vjeç; V. Sh., 52 vjeç; F. M., 22 vjeç; D. A., 29 vjeç; B. M., 34 vjeçe; A. Ll., 28 vjeçe; Y. B., 38 vjeç; A. K., 46 vjeç dhe A. D., 30 vjeç.
Ndërkohë, M. J., 47 vjeç; A. T., 54 vjeç dhe A. G., 56 vjeç, do të procedohen në gjendje të lirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.