Skip to content
Kryesore

“Të ardhurat nga nafta ua kaluam pensionistëve”/ Dervishi përplaset me Maznikun: Më le pa fjalë

· 3 min lexim

Rritja e çmimit të naftës mbi 200 lekë për litër ka sjellë një debat të fortë mes gazetarit Lutfi Dervishi dhe Arbjan Maznikut në emisionin “Off The Record”, ku në qendër ishte mungesa e ndërhyrjes së qeverisë për të frenuar çmimin e karburanteve.

Dervishi e pyeti Maznikun se përse qeveria nuk përdor instrumente si akciza në një moment kur rritja e çmimit rëndon drejtpërdrejt mbi konsumatorët, duke sjellë si shembull ndërhyrjet e vendeve të tjera të rajonit dhe Europës.

“Por mosndërhyrja me instrumentet e akcizës në momentin që çmimi dëmton konsumatorin është kriminale. Sepse kjo llogari ka qenë kur nafta ka qenë 12.00 Lek ose ndoshta dhe më pak. Po kur nafta shkon 2200 lekë dhe ti të mos bësh asnjë ndërhyrje tregon që ti thjesht nuk e mendon kurrë konsumatorin. E sheh vetëm sa lekë do fitojë, sa do shkojë në arkën e shtetit në buxhet. Kjo është pyetja; pse ndërhyn Mali i Zi kur lëviz çmimin në tregun botëror që një vend i rajonit ? Pse ndërhyn Italia dhe pse nuk ndërhyn Shqipëria?”, tha Dervishi.

Mazniku kundërshtoi pretendimin se qeveria nuk ka ndërhyrë, duke iu referuar periudhës së krizës dhe Bordit të Transparencës.

“S’është e vërtetë që s’ka ndërhyrë. Qeveria shqiptare ka ndërhyrë dhe vuri një tavan dhe tha po kalojmë mbi këtë tavan do ndërhyjmë me akcizën. Bord transparencës vuri tavanin 210 lekë. Ishte gjatë kohës së krizës”, deklaroi ai.

Por Dervishi e riktheu debatin te situata aktuale, duke theksuar se çmimi i naftës kishte arritur në 219 lekë për litër.

“Po që po të flas, tani që po flasim, ke një javë që ke 219. Pse s’ndërhyhet?”, e pyeti gazetari.

“Sepse bordi i transparencës nuk funksionon më”, u përgjigj Mazniku.

“Po shpjegon që thjesht nuk ndërhyni dhe s’bëni asgjë”, reagoi Dervishi.

Mazniku këmbënguli se ndërhyrja e qeverisë bëhet kur vlerësohet e nevojshme dhe jo sa herë që kërkohet publikisht.

“Dhe jo po të shpjegoj që ndërhyhet atëherë kur vlerësohet të ndërhyhet dhe jo sa herë që e gjykon çdo person që duhet të ndërhyhet”, tha ai.

Debati u ashpërsua më tej, ndërsa Dervishi kërkoi të dinte përse nuk ndërhyhej menjëherë, në kushtet kur çmimi kishte kaluar nivelin prej 210 lekësh të përmendur më herët si tavan.

“Po jo nuk ka një logjikë, ndërhyjnë të gjitha vendet për shkak sepse ka lëvizur çmimin në bursës. Këtu nuk ndërhyhet. Domethënë 219 e ke naftën sot. Ti thua që nuk ndërhyjmë dot se s’ka bord transparencë. Po mblidhuni në 12 të natës mblidhen. Në dy të mëngjesit mblidhet thuaj që kemi një situatë të re, çmimi ka kërcyer, kemi vendosur një ta 210, është 219 duhet të ndërhyjmë. Kaq e thjeshtë është. Apo është ndonjë shkencë na shpjego”, deklaroi Dervishi.

Në këtë pikë, Mazniku tha se të ardhurat e krijuara nga ndryshimi i çmimit u janë kaluar pensionistëve.

“Të gjitha të ardhurat që u gjeneruan nga ndryshimi”, nisi të thoshte Mazniku, ndërsa Dervishi ndërhyri: “Le të pi pak ujë njëherë para se të na thuash ja kaluan pensionistëve.”

“Të lutem pije ujin se dhe mund ta pish i qetë, sepse i kaluan pensionistëve. Kjo është fakt i kaluan pensionistëve dhe me bonusin e dhjetorit dhe me bonusin e pranverës”, u përgjigj Mazniku.