Skip to content
Kryesore

Temperaturat ekstreme godasin bletarinë, përgjysmohet prodhimi i mjaltit në Gjirokastër

· 1 min lexim

Temperaturat ekstreme dhe kushtet e pafavorshme klimatike kanë goditur rëndë bletarinë në Gjirokastër, duke përgjysmuar prodhimin e mjaltit gjatë këtij sezoni.

Pashun Memishi, bletar nga Valareja e Gjirokastrës, merret me këtë aktivitet prej 30 vitesh dhe kujdeset për rreth 100 koshere bletësh. Megjithatë, ai e konsideron këtë sezon si më të vështirin gjatë gjithë përvojës së tij në bletari.

Sipas Memishit, temperaturat ekstreme kanë ndikuar drejtpërdrejt te bletët dhe te prodhimi, duke bërë që sasia e mjaltit të jetë rreth gjysma e asaj të sezoneve të mëparshme.

“Bletët janë inteligjente dhe kërkojnë shumë përkushtim”, thotë bletari, duke theksuar se kujdesi për to kërkon punë të vazhdueshme dhe përshtatje me kushtet e motit.

Ndryshimet e temperaturave kanë ndikuar gjithashtu në ciklin normal të zhvillimit të bimësisë, duke reduktuar sasinë e nektarit që bletët arrijnë të mbledhin.

Për Memishin, i cili ka rreth 100 koshere, rënia e prodhimit këtë vit është e ndjeshme krahasuar me sezonet e mëparshme. Situata evidenton gjithashtu ndikimin gjithnjë e më të madh që temperaturat ekstreme dhe ndryshimet klimatike po ushtrojnë mbi bujqësinë dhe veçanërisht sektorin e bletarisë.