Presidenti, Ilir Meta, deklaroi të hënën përpara Komisionit Hetimor, se kishte pasur informacion se më 8 qershor në protestën e opozitës, rrezikohej të digjej Parlamenti.
Presidenca nëprmjet zëdhënësit, Tedi Blushi, ka sqaruar hapat e radhës të Metës, nisur edhe nga qarkullimi i lajmeve, se kreu i shtetit po mban sekret raportin e institucionit të lartë të sigurisë kombëtare.
Blushi thotë se Meta i ka bërë kërkesë institucionit të lartë të sigurisë kombëtare, që t’i dërgojë Kuvendit raportin që i ka dorëzuar më datë 7 qershor 2019.
Në reagimin e presidencës thuhet gjithashtu, se kreu i shtetit i ka dërguar letër zyrtare Kuvendit, ku e vë në dijeni me kërkesën e mësipërme.
Blushi ka siguruar të gjithë, se ekipi i Këshillit të Sigurisë së Presidentit Meta, i kryesuar nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, është gati të bashkëpunojë me çdo institucion dhe të vërë në dispozicion të gjithë faktet e nevojshme.
Reagim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, z.Tedi Blushi
12 shtator 2019
Me përgjegjësi maksimale, dua të rikonfirmoj vendosmërinë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, të shprehur shumë qartë dje për të gjitha mediat dhe për mbarë opinionin publik, për të ushtruar të gjitha kompetencat e tij kushtetuese, si një PRESIDENT I SHTETIT TË SË DREJTËS.
Me keqardhje, por pa çudi, portale dhe gazeta të SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve, me kokëfortësi të shpjegueshme, vazhdojnë ende të dezinformojnë opinionin publik me lajmin e rremë, sikur Presidenti Meta po mban sekret raportin e prodhuar nga institucioni i lartë i sigurisë kombëtare, që paralajmëronte rrezikun e djegies së Parlamentit në datën 8 qershor 2019.
Sikundër Kreu i Shtetit e sqaroi edhe dje shumë qartë, jam i detyruar të rikonfirmoj se:
Ditën e djeshme, Institucioni i Presidentit i ka nisur një kërkesë institucionit të lartë të sigurisë kombëtare, që mbështetur mbi ligj, t’i verë në dispozion edhe Kuvendit, raportin që i ka dorëzuar Presidentit në datën 7 qershor 2019.
Po dje, Institucioni i Kreut të Shtetit i ka dërguar një letër zyrtare edhe Kuvendit, ku e vë në dijeni lidhur me kërkesën e mësipërme.
Po kështu, ekipi i Këshillit të Sigurisë së Presidentit Meta, i kryesuar nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, z.Bahri Shaqiri është gati të bashkëpunojë në çdo kohë dhe me çdo institucion shtetëror për këtë çështje, të ndajë dhe të vendosë në dispozicion të gjitha informacionet, faktet apo edhe provat shkresore, filmike, audio dhe fotografike, që disponon.
Uroj që ky sqarim publik të lexohet drejt dhe të mos shtrembërohet sërish në “përkthimin” shqip-shqip që bëjnë në të tilla raste portalet dhe gazetat e SHTETIT TË PROPAGANDËS DHE PPP-ve.