Skip to content
Kryesore

Salianji shpërthen ndaj Berishës: Rama e mban me para, leje e koncesione

· 2 min lexim

Ish-deputeti Ervin Salianji ka hedhur akuza të forta ndaj Sali Berishës, i cili më 23 maj pritet të jetë kandidat i vetëm në garën për drejtimin e Partisë Demokratike.

Në një intervistë për “Përballë Lajmit” në Klan News, Salianji tha se Berisha ka probleme serioze me drejtësinë dhe e akuzoi për lidhje me grupe të krimit të organizuar.

“Ka probleme më të mëdha Sali Berisha me drejtësinë. Me këtë drejtësi, se për gjykatat ndërkombëtare, e kam nxjerrë sot vendimin e gjykatës britanike, që qartësisht në vendim e shpreh që Sali Berisha është i lidhur me grupe të krimit të organizuar dhe që i përdor këto grupe për influencën e vet politike”, tha Salianji.

Ai akuzoi gjithashtu Berishën se mbahet politikisht nga kryeministri Edi Rama, përmes parave, lejeve, koncesioneve dhe mbrojtjeve të caktuara.

“Realisht ne jemi në regjimin Rama-Berisha. Berisha mban në pushtet Edi Ramën, Rama i jep atë për të cilin Sali Berisha shet edhe shpirtin: paratë, lejet, koncesionet edhe mbrojtje të caktuara”, deklaroi ai.

Salianji e quajti garën për kreun e PD-së një proces administrativ dhe jo politik, duke pretenduar se Berisha ka kontrolluar komisionin, listat, kandidatët dhe burimet financiare të partisë.

“Unë do të kandidoj dhe e mund Sali Berishën. Dhe po e them prap. Me garë unë e mund”, tha ai, ndërsa e krahasoi kandidimin e vetëm të Berishës me një “autokraci partiake”.

Sipas Salianjit, ky është një rast unik, ku një kryetar opozite qëndron prej 36 vitesh në krye të partisë, edhe pas humbjeve.