Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë u zhvillua seanca përmbyllëse ku ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqitën mbrojtjen e tyre. Në një fjalim të gjatë dhe të ngarkuar emocionalisht, Hashim Thaçi hodhi poshtë akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se kthimi i tij në Kosovë në vitin 1998 nuk kishte si synim pushtetin, por lirinë dhe paqen.
“Duke rrezikuar jetën time për liri dhe paqe, pyetja që shtrohet sot është kush e merr kontrollin. Kontrolli dhe shteti ishte në duart e hekurta të Milosheviçit. Shqiptarët shtypeshin nga pushteti i Milosheviçit. Misioni ynë si popull ishte i qartë, mbijetesa, liria dhe paqja. Unë nuk kisha fare iluzione. Por shpresa jonë e vetme ishte bota demokratike, SHBA dhe NATO. Prandaj fokusi im ishte ndërtimi dhe forcimi i kësaj aleance. Unë udhëtova në shumë kryeqytete për t’i bindur për këtë kauzë. Kudo që isha, isha në kontakte të vazhdueshme me zyrtarë amerikanë. Milosheviçi e nisi luftën në Kosovë, kurse ne po mbroheshim. Nuk u ktheva nga Perëndimi për pushtet, as për të marrë drejtimin e Kosovës, por për paqe.”
Duke iu drejtuar trupit gjykues, ai theksoi rolin vendimtar të ndërhyrjes ndërkombëtare:
“Po të mos ishte ndërhyrja e NATO-s, nuk do të kishte as pavarësi të Kosovës. Të nderuar gjyqtarë, kjo prokurori më thuri shumë lavde dhe ndau shumë tituj e grada. Por e vërteta është komplet tjetër.
Milosheviçi, me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës, është rekurtuesi më i madh i UÇK-së. UÇK nuk ishte organizatë shtetërore, por popullore që po mbroheshe nga një shtet agresor.
Fitorja e Kosovës ishte më shumë politike e diplomatike.”
Në një tjetër moment të mbrojtjes së tij, Thaçi deklaroi: “Kosova zgjodhi paqen, Serbia luftën”, duke theksuar se ndikimi i tij në atë periudhë lidhej me fjalën dhe përpjekjen për pajtim.
Gjatë tërë kësaj kohe, i vetmi pushtet që kisha unë, ishte ai i zërit tim. Të nderuar gjyqtarë, siç e keni parë, e përdora zërin tim për të promovuar një shoqëri tolerante në Kosovë, u bëra thirrje serbëve lokale të qëndrojnë shtëpitë e tyre dhe të ndërtojnë të ardhmen me ne. Sikurse edhe ne ishim viktima të Millosheviç. Nuk ishte e lehtë të bëje këtë pas saj që kishte ndodhur, por ishte gjëja më e drejtë dhe e duhur. Kur në Kosovë po hapeshin varre për mijëra viktima, mijëra të zhdukur nuk gjendeshin dhe mijëra pengje ishin marrë në Serbi. Kosova ishte më e rëndësishme se fati im personal.”
Ai u ndal edhe te momenti i kthimit në Kosovë në pranverën e vitit 1998, duke e përshkruar si një zgjedhje morale përballë dhunës dhe masakrave.
“Unë nuk u ktheva për ta rrezikuar jetën time për kontroll dhe pushtet. U ktheva në atdhe për ta rrezikuar jetën ime për liri dhe paqe”, deklaroi Thaçi.
“Duke i parë masakrat në popullin tim, unë, si edhe shumë të tjerë, nuk mund të qëndroja indiferent”, shtoi ai.
Në vijim, ai theksoi lidhjet me administratën amerikane dhe rolin e aleancës ushtarake perëndimore në përfundimin e luftës.
“Isha në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të administratës amerikane”, tha ai, duke shtuar: “Luftën mund ta përfundonte vetëm NATO, dhe ashtu ndodhi. Po të mos ishte intervenimi i NATO-s, liri të Kosovës nuk do të kishte. Nuk do të kishte as pavarësi të Kosovës. Prandaj pavarësia nuk ishte instrument për të marrë pushtet”.
Në fund të fjalës së tij, Thaçi reagoi ashpër ndaj qëndrimit të prokurorisë.
“Kjo prokurori në vend që t’i heqë renë e zezë Kosovës, kërkon që t’i zërë diellin me një stuhi të zezë. Shumë nga akuzat i kam dëgjuar edhe në fushatat zgjedhore në Kosovë. Është e dhimbshme që kjo prokurori kërkon t’i hedhë poshtë dëshmitë e zyrtarëve të NATO-s, SHBA-së, Britanisë, të atyre që ishin gjithë kohës me ne në terren”, tha Hashim Thaçi në përfundim të mbrojtjes së tij në Hagë.







