Gazetari investigativ Artan Hoxha është shpallur non grata nga autoritetet greke, të cilat e kanë klasifikuar si person të padëshirueshëm dhe kërcënim për rendin publik, duke i ndaluar hyrjen në territorin e Greqisë.
Hoxha u ndalua ditën e djeshme nga policia kufitare greke në pikën e kalimit të Kakavijës. Gjatë kontrollit të pasaportave në sportelin e hyrjes për qytetarët që kërkojnë të hyjnë në Greqi, gazetarit iu komunikua zyrtarisht se nuk lejohej të kalonte kufirin, me arsyetimin se përbën rrezik për rendin publik dhe sigurinë e brendshme të shtetit grek.
Ky zhvillim nuk është i paprecedentë, pasi edhe më herët Greqia ka marrë masa të ngjashme ndaj gazetarëve shqiptarë. Vite më parë, gazetari i Top Channel, Marin Mema, u shpall gjithashtu person i padëshirueshëm nga autoritetet greke.






