I riu nga Durrësi, Redmond Gruda, i cili vrau gjyshen e tij, Filloreta Shkurti një vit më parë në Durrës, ka dalë sot përpara togave të zeza.
Gruda masakroi me thikë gjyshen e tij, pasi nuk i dha para për të blerë hashash, shkruan “TPZ”.
E moshuara u gjet e pajetë në dhomën e gjumit, ndërsa kishte plagë në kokë, qafë, krahë dhe duar.
Ndërsa në tualet u gjetën rrobat, një çantë dhe një thikë e këputur.
Për rreth dy orë 21-vjeçari u mundua të zhdukë kufomën dhe armën e krimit, por nuk ia doli.
Nga hetimet u zbulua se i riu lau rrobat që kishte me gjak, copëtoi thikën dhe më pas lajmëroi policinë, duke u thënë se e kishte gjetur derën të hapur.
Vetëm pas 10 orësh, ai u ka treguar hetuesve të gjithë historinë e vërtetë.
Redmond Gruda kishte precedentë penalë të mëparshëm, pasi është dënuar dy herë të tjera për plagosje, ku herën e parë ishte vetëm 11 vjeç.